Nakolec është një nga vendet e pakta të populluara në rajonin e Prespës, ku shumica e banorëve janë shqiptarë. Nga Resnja deri këtu arrihet për njëzet minuta. Por, tani gati një vit, një pjesë e rrugës rajonale që çon në kufirin me Greqinë, pranë hyrjes së fshatit, është dëmtuar dhe ka rrëshqitje të dheut.
Përkundër premtimeve që kanë marrë nga autoritetet se problemi do të zgjidhet, nuk ka asgjë nga kjo për momentin. Prandaj, ata tani përdorin një rrugë alternative të pa-asfaltuar.
Banorët thonë se në vitet e fundit në Nakolec shteti nuk ka ngulur asnjë gozhdë.
“As rruga që të çon në Liqenin e Prespës nuk është asfaltuar, edhe pse prej këtu deri atje ka vetëm 500 metra. Banorët e Nakolecit janë të revoltuar, sepse thonë shteti nuk kujdeset për këtë vendbanim, edhe pse kanë kushte të shkëlqyera për zhvillimin e turizmit “.
Prespa është shkatërruar. Prespa po vdes. Nuk ka të rinj, askush nuk dëshiron të punojë tokën, të gjithë kanë ikur. Nuk ka kushte. Nëse ka fitim, të gjithë do të dëshironin të punonin. Asgjë nuk është ndërtuar, asgjë nuk bëhet”- theksoi Borçe Georgievski ,banor.
Edhe shkolla fillore “Dimitar Vllahov” po rrënohet ngadalë. Dikur kishte shumë nxënës, ndërsa sot ka vetëm tre nxënës nga klasa e parë deri në klasën e katërt. Në Komunën e Resnjës thonë se investimet në rrugët dhe projektet tjera kapitale janë një nga prioritetet kryesore, por ata e pranojnë se infrastruktura në të gjithë rajonin është në gjendje të keqe.
Rruga rajonale ka një problem, por sipas informacioneve nga Ministria e Transportit dhe lidhjeve, rehabilitimi i asaj pjese të rrugës rajonale pritet të fillojë së shpejti”- tha Ruzhica Pereska nga komuna e Resnjës.
Një problem shtesë është se i gjithë rajoni në aspekt demografik është bosh. Të moshuarit mbeten, ndërsa të rinjtë ikin në Resnjë dhe Manastir ose jashtë shtetit.