Sot është nata e fundit e Epopesë së UÇK-së apo siç njihet ndryshe “Nata e Zjarreve”.
Me këtë rast, në ceremoninë kryesore që po mbahet në Skenderaj ka folur kryetari i komunës, njëherit anëtari i familjes Jashari, Bekim Jashari.
Para të pranishmëve, Jashari tha se sot përkujtohet vepra heroike e familjes së tij.
Ai tha se numri i madh i vizitorëve është dëshmi se shqiptarët nuk e kanë harruar sakrificën.
“Sot në 22 vjetorin epopesë së UCK-së kujtojmë luftën heroike të 5,6 e 7 marsit kur për tri ditë baba Shabani, babushi Hamza, komandanti legjendar Adem Jashari e të gjithë anëtarët e familjes luftuan pa frikë. Janë ata që shkruajtën historinë e përjetshme. Sot në përfundimin epopesë më lejoni të falënderoj të gjithë ata që vizituan e nderuan familjen Jashari. Numri i madh i vizitorëve nga të gjitha vendet është dëshmi që populli ynë nuk harron lirinë e lavdishme dhe ata që dhanë gjak për liri”, tha ai.
Jashari nga Skenderaj bëri thirrje spektrit politik që të jenë të bashkuar për shtetin e Kosovës, ngase sipas tij vetëm në këtë formë jetësohet amaneti i dëshmorëve.
“Sot patriotizëm është kujdesi për shtetin. Duhet të punojmë bashkarisht përkundër dallimeve politike për të mirën e vendit. Të rënët në altarin e pavdekësisë sollën lirinë e pavarësinë. Ne jetëojmë amanetin e tyre vetëm duke qenë të bashkuar për vendin tonë”, tha Jashari.