Nations League, luhet Itali-Francë, betejë për vendin e parë

Dita e gjashtë dhe e fundit e ndeshjeve në Nations League nis me supersfidën ndërmjet Italisë dhe Francës. Një përballje titanësh, për vetë skuadrat që zbresin në fushën e lojës, e cila parashikohet të jetë emocionuese për objektivat e skuadrave.

Marketing

Në San Siro pritet një betejë totale për vendin e parë në grup. Italia kryeson Grupin 2 të Ligës A. pas fitores me Belgjikën, të Kaltërit e shohin vetën në kuotën e 13 pikëve, ndërsa Franca i ndjek me 10 pikë.

Skuadra e Spalletti-t ka në dispozicion dy nga tre rezultate të mundshme. Megjithatë, italianët kanë edhe një bonus, pasi mund të ruajnë vendin e parë edhe nëse humbasin, por me kushtin që Franca të mos fitojë me dy gola diferencë apo më tepër.

Kjo për faktin se në ndeshjen e kaluar, Italia fitoi 3-1 në fushën e Francës. Nëse blutë hakmerren me një rezultat minimalisht 2-0, përballjet direkte do të ishin në balancë të plotë dhe këtu do të hynte në fuqi rregulli i golavarazhit të përgjithshëm, ku momentalisht francezët e kanë +7, ndërsa të kaltërit +4.

Vendi i parë është i rëndësishëm për Italinë, sepse do tijepte avantazhin që në çerekfinalet e Nations League, të përballej me një kundërshtar më të dobët nga vendet e dyta në grupe. Për më tepër, kryesimi do ta poziciononte ekipin e Spalletti-t si kokë serie në shortin e kualifikueseve të Botërorit 2026, ku në letër mund të kishin kundërshtarë më të lehtë.

Gjithashtu, mundësia për të luajtur në play off dhe të fitohet trofeu i Nations League, do të ishte mënyra si të garantohej një tjetër biletë drejt Kupës së Botës, në rast se në kualifikuese nuk pozicionohen në dy vendet e para të grupit. Ndeshja Itali-Francë luhet mbrëmjen e kësaj të diele në orën 20:45.

Marketing