Me rastin e 74 vjetorit të çlirimit të qytetit të Shkupit, në Orkestrën Filarmonike të Maqedonisë u ndanë çmimet “13 Nëntori”, ndërsa fituesit e këtij viti u prezantuan nga kryetari i qytetit të Shkupit Petre Shilegov.
Në fushën e Shkencave çmimi iu nda gjyqtares Margarita Caca Nikollovska, për kontribut në avancimin, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Në fushën e arsimit dhe edukimit çmimin për vitin 2018 e fitoi profesori tashmë në pension Axhi Fida, ndërsa në fushën e sportit çmimi iu nda notuesit Andrej Stojanovski, për arritje të jashtëzakonshme në kategorinë e sporteve për njerëz me nevoja të veçanta.
Në fushën e Kulturës çmimin e fitoi muzikologu Marko Kolovski, për krijimtari shumëvjeçare në fushën e muzikës, si dhe përkthyesi i librave njëherit dhe shkrimtari Resul Shabani, për përkthim të antologjive.
Në fushën e arteve muzicienti Ramadan Shukri shpërblehet me çmim për kontribut në fushën e kulturës, arsimit dhe edukimit.
Gazetari Sefer Tairi fitoi çmimin në fushën e publicistikës, për kontribut 20-vjeçar në zhvillimin e gazetarisë dhe publicistikës.
Arkitektja Danica Pavlovska – Cigi është dekoruar me çmim në fushën e Arkitekturës për përkushtim disavjeçar për ruajtjen e autenticitetit dhe vlerave të qytetit të Shkupit, në sferën e planifikimit dhe drejtimin me hapsirat.
Këto ishin disa nga të dekoruarit nga Kryetari i qytetit të Shkupit Petre Shilegov.