Është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare Bardhyl Vejsiu, babai i moderatores Alketa Vejsiu.
Moderatorja i ka dhënë lamtumirë babait të saj me një video nga skena e “X Factor”, teksa të dy këndojnë “Tombe La Neige”.
Me këtë postim të ndjerë, moderatorja ka shprehur trishtimin dhe hidhërimin e saj duke kujtuar një prej momenteve më të bukura së bashku për të plotësuar edhe dëshirën e tij që të përcillej me muzikë.
“Ndarja me ty nga kjo jetë, është trishtimi më i thellë që më ke bërë të provoj my Super Star Dad.
Edhe ndarjet tona kur ikje në emigracionin e egër se duhet të punoje e të na ndihmoje të rriteshim, me dhimbje të thellë i përjetoja; por edhe pse futesha me kokë nën batanije e qaja me orë, përsëri më mbante të fortë shpresa që do të vinte një telefonatë, do të vinte një pako me dhurata, do të vije të më takoje! Asnjëherë nuk jemi përqafuar kur iknim nga njëri-tjetri; edhe kur unë u rrita, e ty ca thinja më shumë të dolën… Ndarja për ne ishte e papërballueshme; na qante shpirti.
Siç ma le porosi të fundit; me muzikë po të jap lamtumirën më të trishtë o zemërbardhë! S’do jem kurrë më i njëjti njeri se më ka ikur një pjesë e shpirtit me ikjen tënde, më ka ikur një pjesë e zemrës që s’e zëvendëson asgjë dhe askush. Vetëm tani mund të kuptoj çdo njeri që ka kaluar në këtë rrugë dhimbjeje dhe ka humbur babain, nënën apo dikë të shtrenjtë. Zemra ime ju ndjen të gjithëve.
E di që e kishe ëndërr të këndonim këngën “Comme toi” sërish në “X Factor” bashkë ; s’ia dolëm dot!
Por e kemi kujtimin më të bukur të jetës aty në skenë. Me Borën e Bardhë/ Tombe La Neige që do sjellë dhe dimrin më të trishtë të jetës sime.
Ti njeri artist me kaq shumë talente asaj skene duhet t’i përkisje; që e mësove pianon dhe kitarën pa mësues dhe shkollë, dhe që jetën e kishe këngë dhe buzëqeshje; ti që çelës soli kishe dashurinë; më ke lënë një boshllëk në shpirt që nuk do të mbushet kurrë.
Gjithçka do të bëja të dhuroja, të blija a të shtoja pak kohë jete. Këtë s’e bëra dot edhe pse luftuam të dy aq shumë që t’ia dilnim. Por besoj që kam përmbushur një mision tjetër; të të bëja të lumtur dhe krenar. E kisha motiv jete këtë.
Faleminderit ekipit të mjekëve dhe infermierëve tek “Spitali Katolik i Tiranës” / Zonja e Këshillit të Mirë; bënë të pamundurën këto muaj të fundit për ty; nuk do t’i harroj kurrë. Ndiej pafund, pafund mirënjohje. Keni qenë një ekip i jashtëzakonshëm.
Shëndet dhe jetë për prindërit tuaj. Sa i keni gjallë; bëjini të lumtur! Unë bëra gjithçka, gjithë jetën për këtë! Tani s’më mbetet gjë tjetër përveçse ta mendoj veten si vazhdim të babait tim. Quhem Alketa Bardhyl Vejsiu!”, shkruan moderatorja.