Ndalesë e vizitave të pacientëve në spitale për parandalimin e përhapjes së gripit në kushte spitalore dhe respektimi rigoroz i rregullave në objektet shëndetësore janë pjesë e masave parandaluese të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë me rekomandimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive. Rekomandimet theksojnë se duhet të vendosen maska mbrojtëse, të bëhet dezinfektimi i duarve dhe të ruhet distanca fizike, kur është e mundur.
Ministria e Shëndetësisë obligon të gjitha institucionet shëndetësore publike që të respektojnë masat.
“Masat janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për shëndetin e pacientëve dhe punonjësve shëndetësorë, sipas të dhënave aktuale epidemiologjike që tregojnë pikun e gripit sezonal. Komisioni për Sëmundjet Infektive vijon monitorimin e situatës epidemiologjike në vend”, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Sipas raportit të fundit të Institutit për Shëndet Publik – Shkup, nga 3 deri më 9 shkurt 2025, në vend janë raportuar 2880 raste të raportimeve grupore të sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është 5,1 përqind më pak në krahasim me javën e kaluar.
Nga të regjistruarit, 1552 persona janë të moshës 15-64 vjeç, 685 janë fëmijë nga 5 deri në 14 vjeç, 371 janë fëmijë të moshës 0-4 vjeç dhe 272 janë regjistruar te personat mbi 65 vjeç. Incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët e moshës 0-4 vjeç.
Në Shkup janë raportuar 692 pacientë, në Strumicë – 333, në Manastir – 304, në Shën Nikollë – 158, në Ohër – 141, në Veles – 140, në Radovish – 122, dhe në Kavadar dhe në Kumanovë nga 109 pacientë.