Ndërprerja e Facebook-ut ngrit pikëpyetje për mënyrën e jetesës

Rrjeti social, Facebook ka nisur minutat e parë të ditës së enjte me probleme teknike, duke shtyrë miliona persona t’i kthehen përditshmërisë pa qenë të lidhur me rrjetin social më të madh në botë.

Marketing

Kjo situatë mund të ketë qenë gjëja e fundit që i është dashur Facebookut, teksa kalon nga një problem në një tjetër, përfshirë edhe skandalin me të dhëna private.

Mosfunksionimi i këtij rrjeti, ka nisur të mërkurën mbrëma, duke prekur llogaritë pothuajse në gjithë botën.

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, problemet kanë vazhduar të jenë evidente në disa pjesë të Evropës dhe Azisë.

“Njerëz, duhet të dilni para pasqyrës dhe të shihni veten si po tingëlloni”, ka thënë Johanna në rrjetin Downdetector.

“E gjithë kjo situatë duket kinse është fundi i botës, vetëm pse nuk keni qasje në Facebook. Duhet të mendoni për një jetë të vërtetë në vend të asaj digjitale”.

Një tjetër person me nofkën Palmina D’Allesandro, ka thënë se koha pa foshnjën e Mark Zuckerbergut, mund të ketë qenë momenti i krijimit të një jete të mirëfilltë.

“A mund të besoni që Facebook duhet të bllokohet në mënyrë që njerëzit ta vërejnë njëri-tjetrin?”, ka thënë ky person.

Rënia e sistemit të Facebook-ut, kësaj here ka shënuar bllokimin më të gjatë në histori.

Ky problem, detajet e të cilit nuk dihen ende, ka prekur edhe Instagramin dhe Messengerin.

Marketing