Ndërpritet bojkoti në shkollën “Marija Kiri – Skllodovska” në Shkup

Nxënësit dhe profesorët maqedonas të shkollës së mesme profesionale “Marija Kiri Skllodovska” sot i’u rikthyen mësimit. Me këtë ata ndërprenë bojkotin kundër emërimit të Blerim Nebiut, ushtrues detyre, drejtor i shkollës në fjalë.

Marketing

Kolektivi i profesorëve me mësim në gjuhën maqedonase nuk dha asnjë sqarim nëse janë pajtuar që kolegu i tyre dhe njëkohësisht psikologu i shkollës të mbetet në postin, ushtrues detyre- drejtor. Mirëpo, një ditë më parë përmes një njoftimi me shkrim, kolektivi i profesorëve kujtoi se në këtë shkollë numri i paraleleve me mësim në gjuhën maqedonase është 28 krahasuar me 18 paralelet me mësim në gjuhën shqipe.

Javën e kaluar, profesorët dhe nxënësit maqedonas për dy ditë bojkotuan mësimin në këtë shkollë në shenjë revolte ndaj emërimit të një drejtori shqiptar me arsyetimin se vendimi i tillë ishte vlerësuar si akt historik nga vet punonjësit shqiptar të kësaj shkolle.

Ndërkohë, nga kabineti i kreut të Shkupit, Petre Shilegov prej ku edhe erdhi ky vendim përsëritin qëndrimin se emërimi i drejtorit Blerim Nebiu është kryer sipas procedurave ligjore.

Ndërsa nga Ministria e Arsimit thanë se në këtë dikaster nuk ka arritur asnjë ankesë ose kërkesë lidhur me këtë rast.