Ndërpritet gjykimi për “27 prillin”, seanca e re më 21 shtator

Pas bisedës me mjekët nga Ndihma e parë mjekësore, gjykatësja Dobrilla Kacarska tha se debati për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend do të shtyhet, sepse iakuzuari Munir Pepiq duhet të shkojë në internist. Seancë të re caktoi për më 21 shtator.

Marketing

Para marrjes në pyetje të dëshmitarit të tretë Kurto Dudush, gjykimi për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e RM-së u ndërpre sepse iu keqësua gjendja shëndetësore të akuzuarit Munir Pepiq. Gjykatësja Dobrilla Kacarska dha pauzë prej gjysmë ore, ndërsa intervenoi edhe Ndihma e parë mjekësore.

Në seancën e ardhshme gjyqësore për ngjarjet në Kuvend më 27 prill duhet të dëshmojnë Kurto Dudush, Dushica Mërgja, Agim Nuhiu, Sasho Tasevski, Vlladimir Trajkov…

Paraprakisht ka dëshmuar deputeti Ferid Muhiq. Ai në pyetjen e prokurores Villma Ruskoska tha se më 27 prill ka qenë në galerinë e sallës për shtyp në Kuvend. Atje ka hyrë mes personave të fundit dhe kur kanë përfunduar fjalimet e Zoran Zaevit dhe Talat Xhaferit, ka parë se si hyjnë njerëz në Parlament. Tha se ka pasur sulme të ashpra ndaj Zaevit dhe se njëri nga njerëzit të cilët kanë hyrë e ka parë dhe drejt tij ka gjuajtur me sende të forta.

“Kam ndjerë se ndoshta nuk ka asgjë kundër meje, por kishte energji të qëndrimit armiqësor dhe ajo ndihej në ajër”, tha Muhiq.

Ai potencoi se kur turma është ngjitur lart në galeri, e ka hapur derën dhe në befasi të tij, siç tha, njerëzit sikur nuk e kanë vërejtur dhe ka vazhduar të shkojë deri te galeria mbi sallën 4, ku ka pasur edhe disa deputetë.

“Në sallën 4 dëgjova zëra…flisnin se bëhet fjalë për qendër komanduese”, tha Muhiq dhe shtoi se atë e ka kuptuar kur dikush ka pyetur “deri ku është puna, tjetri ka thënë Sela ka mbaruar, ndërsa për të tjerët ende nuk ka rezultate”.

Muhiq tha se dikush me kaçule në kokë është afruar pranë tyre dhe u ka thënë të ulen këtu dhe të mos lëvizin…, ndërsa pastaj ka dëgjuar zë tjetër, i cili ka thënë vijnë shqiptarët. Njëri prej tyre, siç shtoi Muhiq, i tha tjetrit të kontrollojë nëse është e saktë informata dhe nëse është e saktë t’u jap armë njerëzve tanë.

“Pas 15 minutave dëgjova një zë se si thotë që lart është Ferid Muhiq dhe se nisen për ta zënë”, shtoi Muhiq.

Tha se njerëzit janë ngjitur në galeri, në mënyrë verbale e kanë sulmuar, por pastaj dikush i ka thirrur dhe të gjithë kanë dalë, ndërsa pas një kohe kanë ardhur policët, të cilët i kanë nxjerrë jashtë nga galeria.

“Disa nga deputetët shqiptarë thanë se ka pasur një grup shqiptarësh me armë të cilët kanë dashur të kalojnë përmes Vardarit, por janë penguar nga deputetët që të mos vjen deri në një konflikt më i madh”, tha Muhiq.

Ai potencoi se është tronditur nga ngjarjet dhe se ka qenë nën përshtypje të ritmit të një shpërthimi urrejtjeje.

“Si filozof isha i shqetësuar se deri ku mund të shkojë irracionaliteti njerëzor”, tha Muhiq dhe theksoi se nuk harron, por fal.

Paraprakisht për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar ka dëshmuar Sashko Kocevski, i punësuar në Kuvend, i obliguar për sistemin elektronik, duke i përfshirë edhe mikrofonat dhe sistemin për votim.

Të akuzuarit për rastin e ngjarjeve më 27 prill akuzohen për kërcënim terrorist të rendit kushtetues. Ata para Gjykatës thanë se e kuptojnë akuzën, por nuk ndjehen fajtor.

Në bankën e të akuzuarve janë Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov, Mitko Peshovski, Dushko Lazarov, Goran Joshevski-Levi, Oliver Popovski, Oliver Radulov, Sashko Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska-Bozhinovska, Ivan Cvetanovski, Boris Damovski, Bogdan Ilievski-Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durlovski, Stefan Mlladenovski, Mihail Mlladenovski, Zaharie Simovski, Mlladen Dodevski, Jane Çento, Gorançe Angelovski, Igor Jug, Ilija Sllaveski, Vllatko Trajkov, Villijam Mihajlovski, Nikolla Mitrevski-Kolo, Aleksandar Vasilevski-Ninxha dhe Mitre Pitropovski