Komuna e Gazi Babës pasditen e së martës emëroi ushtrues të ri detyre në postin e drejtorit të Shkollës Fillore “25 Maji” në Hasanbeg, duke e arsyetuar vendimin me përfundimin e mandatit të drejtorit të deritanishëm, Fadil Murtezani.
Por, Murtezani e kundërshton këtë vendim, madje akuzon kreun e komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski, se ka shkelur Ligjin për arsim fillor, duke mos hapur konkurs të ri me votim transparent.
Përkujton se sipas Ligjit të arsimit fillor, drejtorët i zgjedh Këshilli i shkollës, ndërsa kryetari i komunës vetëm respekton vendimin e Këshillit. Po ashtu, sipas tij, ligji nuk kufizon mandatet e drejtorëve të shkollave dhe nuk parasheh ushtrues detyre për këtë post.
“Mandatet më nuk janë të kufizuara sipas ligjit të ri. Për atë arsye më nuk ka ushtrues detyre, sepse nuk ka mandate të kufizuara. Drejtorët i zgjedh Këshilli i shkollës, të cilin e përbëjnë shtatë këshilltarë, prej të cilëve 3 këshilltarë arsimorë, 3 këshilltarë të prindërve dhe 1 përfaqësues i komunës. Duhet të votohet dhe ai që merr vota më së tepërmi, ai kandidat i propozohet kryetarit të komunës, i cili duhet të nënshkruajë për mandatin e ri”,- tha drejtori i Sh. F. “25 maji” – Hasanbeg, Fadil Murtezani.
Këshilli i prindërve: Deri në tërheqjen e vendimit, bojkotohet mësimi
Edhe banorët e Hasanbegut kundërshtojnë vendimin e kreut të komunës. Për TVM2 ata thonë se Këshilli i prindërve nuk është konsultuar fare. Përkujtojnë komunën se drejtori i deritanishëm ka siguruar kushte maksimale për mësim në këtë shkollë, ka qenë madje i përmendur si shembull ndër shkollat e tjera. Në shenjë revolte ndaj këtij vendimi deri në tërheqjen e vendimit, 1760 nxënës të Shkollës Fillore “25 maji” nga e enjtja do të bojkotojnë procesin mësimor.
“Këtu në Hasanbeg i ndërrojmë ne me tërë fshatin, këtu që jemi të mbledhur, se i kemi 2000 nxënës, nuk jemi një e dy të luajë ai me fëmijët tanë. Kemi këshill, të gjitha i kemi dhe i rrimë Fadilit pas dhe ne vetë vendosim për fëmijët tanë, që mos të vijë Borçja”,- u shpreh një banor.
“Cila shkollë ka laborator, jo për Shkup po për tërë Maqedoninë, është shkolla më e mirë, “25 maji” nga ardhja e Fadilit. Unë si prind kam dy fëmijë aty dhe fëmijët e mi me vite nuk i lëshoj deri sa të kthehet zotëria në punë”,- theksoi një banor.
Murtezani për këtë vendim do të parashtrojë ankesë deri te Inspektorati Shtetëror i Arsimit, për, siç thotë ai, shkelje të Ligjit të arsimit fillor. Përgjigje për këtë çështje nga komuna e Gazi Babës premtuan të japin të enjten, pasi komuna është në pushim për shkak të festës.