Ndërroi jetë sot në moshën 83 vjeçare Menduh Ajdini, një ndër gazetarët e parë të TVM2.
Ai ishte kryeredaktor i redaksisë shqipe në të atëhershmin “Televizioni i Shkupit”, në vitet më të vështira ndoshta të programit tonë, që fliste shqip në kronikën televizive, vetëm 3 herë në javë nga 20 minuta. Ishin tërësisht përpjekjet e tij në atë kohë e të stafit që drejtonte, për të zgjatur programacionin edhe me 2 emisione të reja shtesë.
“Duke pasur parasysh kërkesat e vazhdueshme të popullit tonë për shtimin e minutazhit të programit në gjuhën shqipe, ne do ta shtojmë programin tonë edhe me dy emisione të reja; një për fëmijë që do të jetë çdo të dielë në orët e paradites, si dhe një emision në muaj me karakter dokumentar nga 30 min.”, thoshte Ajdini në një intervistë të vitit 1975.
Pas zgjerimit të programit Redaksia ngadalë filloi të plotësohej me kuadrin e nevojshëm. Menduh Ajdinin e larguan nga puna kur nuk pranoi që Shkupit t’i thotë Skopje e Manastirit Bitola. Por vizioni i tij për të parë sa më shumë fjalën shqipe në TVM, u bë realitet pak kohë më parë. TVM 2 tani flet 24 orë në shqip, falë edhe vizionit të Menduh Ajdinit dhe të gjithë redaktorëve e gazetarëve që kanë drejtuar këtë program.
TVM 2 i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të tyre më të dashur.
