Ka ndërruar jetë sot doajeni i gazetarisë, gazetari i parë i TVM2, Alush Kamberi. Ai edhe pse kishte dalë në pension prej vitesh, ishte ende aktiv me dokumentarët e tij në TVM2, madje nga shtatori duhet të transmetohej edhe seriali i ri i dokumentarëve rreth shqiptarëve në vendet skandinave, që është në përfundim e sipër.
Alush Kamberi mbi 45 vjet të jetës së tij, i kaloi në Televizionin e Maqedonisë, në programin dokumentar në gjuhën shqipe. Në krijimtarinë e tij të pasur televizive ka mbi 400 njësi dokumentare. Është autor i filmit të ardhjes së parë të Nënës Terezë në Maqedoni. Për nobelisten dhe humanisten ka bërë edhe tre dokumentare të tjera si dhe filmin “Kur Nëna Tereza ishte Gonxhe”. Kamberi është shpërblyer për disa prej filmave dokumentarë dhe ka marrë edhe tituj e nderime shtetërore për punën e tij.