Ndërtimi i Korridorit 8 nis më 4 prill dhe përfundon më 31 dhjetor 2027

Më 4 prill vendoset gurthemeli i Korridorit 8. Hedhja e betonit të parë do të bëhet në Tetovë, nga ku fillon edhe aksi i parë i kësaj autostrade që të çon deri në Gostivar dhe në total është i gjatë 17.5 kilometra.

Marketing

“Së pari do të kemi ndërtimin e një rrugë ndihmëse, paralele që komunikacioni do të hidhet në atë rrugë dhe pastaj do të fillojë zgjerimi dhe ndërtimi i autostradës me parametra europianë. Ajo rrugë do të jetë, ja si mund ta tregojmë, nga autostrada momentale dhe hekurudha në mes të këtyre dyjave që do të hidhet komunikacioni në atë rrugë dhe pastaj do të nisë zgjerimi dhe ndërtimi i rrugës Tetovë-Gostivar”, tha Ejup Rustemi, drejtor N.P. “Rrugët Shtetërore”.

Aksi i dytë Gostivar-Kërçovë i gjatë 30,3 kilometra dhe njëherit një nga terrenet më të vështira për ndërtim, por Rustemi u shpreh se sipas analizave të kompanisë “Bechtel & Enka”, nuk pritet që këtu të dalë ndonjë e papritur. E sa i përket pjesës nga Struga në Qafë Thanë, Rustemi zbuloi se në takimin e fundit me drejtorin e Rrugëve të Shqipërisë është shqyrtuar mundësia për një shkurtim rruge. “Rruga nga Tirana deri në kufi do të jetë diku 73 kilometra dhe pastaj nga pika e re, që mund të jetë pikë e përbashkët kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, deri në Strugë mund të ketë 12 kilometra. Do të thotë nga Struga deri në Tiranë do të kemi lidhje autostradash prej 82 kilometrash…

Advertisements

-Për sa orë do bëhej? -Meqë shpejtësia e lëvizjes do të jetë prej 100 – 130 km/h, mund të llogaritni se nga Tirana në Strugë do të arrijmë për më pak se një orë”, deklaroi Ejup Rustemi, drejtor N.P. “Rrugët Shtetërore”.

Sa i përket buxhetit të ndarë për mbikëqyrjen e ndërtimit të Korridorit 8, Rustemi tregoi se shuma për këtë projekt është më e vogla në krahasim me buxhetit për mbikëqyrje të autostradave të tjera, vetëm 1,69%, pra nga 1 miliard e 300 milionë euro sa kushton projekti, për mbikëqyrjen janë ndarë 22 milionë e 300 mijë euro.

“Në bazë të përvojave të mëparshme, kur e shohim se sa kemi paguar ne për mbikëqyrjen e të gjitha projekteve të tjera, lirshëm mund të themi se kjo është një prej mbikëqyrjeve më të lira që ne kemi angazhuar në RMV por njëkohësisht edhe në rajon“, tha Ejup Rustemi, drejtor N.P. “Rrugët Shtetërore”.

Gjithë korridori 8 së bashku me atë 10D në tërësi janë 110 kilometra autostradë, që pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027, pra për 4 vite e 7 muaj.