Ndërtimi pa leje te Poliklinika në Bit Pazar / Prokuroria kërkon paraburgim për dy persona, ja çka vendosi gjykata

Procedurë për vepër penale “uzurpim i patundshmërive” dhe paraburgim, ka kërkuar Prokuroria Themelore në Shkup, për dy personat e ndaluar nga policia pas punimeve pa leje pranë Poliklinikës në Bit Pazarit, përcjell Klan Macedonia

Marketing

“Të dyshuarit e moshës 45 dhe 42 vjeçare, në mënyrë të pacipë, kanë shembur me ekskavator një pjesë të rrethojës së poliklinikës ‘Bit Pazar’ dhe kanë filluar të rrafshojnë dhe tamponojnë tokën afër objektit shëndetësor që nuk ishte në posedim të tyre, me qëllim që ta shndërrojnë në parking edhe pse për të nuk kanë pasur lejen e duhur nga komuna”, thonë nga prokuroria.

Prokurori publik kompetent propozoi masën e paraburgimit, pasi siç thonë nga PTHP, ka vlerësuar se në rastin konkret ekziston rreziku që të dyshuarit ta përsërisin veprën sepse veprimet penalo-juridike i kanë ndërmarrë në mënyrë arbitrare dhe në veçanti vullnetare, duke dëmtuar pronën e një objekti që është për përdorim të përgjithshëm. Dy të akuzuarit, sipas PTHP-së, për vetëm dy orë kanë arritur të shembnin gardhin dhe shtyllat e betonit për të lejuar makinerinë e ndërtimit të hynin në vend.

“Në kushtet e natës, në një vend veçanërisht të frekuentuar të qytetit, me gërmimet e tyre arritën deri në muret e spitalit, duke rrezikuar kështu aksesin në spital dhe shoqërimin e pacientëve në raste urgjente. Synimi i të dyshuarve ishte që gjatë fundjavës ta përfundojnë aktin kriminal në një periudhë sa më të shkurtër të mundshme duke vendosur trarët e tyre me të cilat do të uzurponin hapësirën në të ardhmen dhe do të përfitonin nga tarifimi i parkimit pa leje. Për prokurorinë, kjo tregon se tendenca e të dyshuarve ka qenë vazhdimi i kryerjes së veprave penale, gjë që justifikon frikën se ekziston rreziku që ta përsërisin veprën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike.

Ndërkaq, pas propozimit të PTHP-së, Gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit prej 8 ditëve vetëm për njërin nga të akuzuarit si “uzurpator” i vendit, ndërsa për punonjësin e ekskavatorit është caktuar masë kujdesi./KlanMacedonia