Ndeshja e marsit, Sejdini takon Ambasadorin e Kosovës, premtojnë spektakël

Kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë Muhamed Sejdini në objektin e Federatës ka takuar ambasadorin e Kosovës në vend Gjergj Dedaj me të cilin kanë biseduar lidhur me ndeshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ndeshjen gjysmëfinale në kuadër të Ligës së Kombeve për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020.

Marketing

Sejdini dhe Dedaj kanë gjithashtu kanë diskutuar edhe për mënyrën e organizimit të ndeshjes që rezulton të jetë e rëndësishme për dy përfaqësueset.

Kreu i FFM-së, Muamed Sejdini i tha Dedajt se Federata është e gatshme të organizojë ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në nivel të lartë. Sejdini beson se të gjithë që do të përfshihen në organizimin e takimit do të përdorin përvojat dhe mundësitë e tyre për ta bërë këtë ndeshje futbollit vërtetë një spektakël.

“Ne si Federatë e Futbollit të Maqedonisë, jemi në kontakte të vazhdueshme me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe jam i kënaqur që në këtë nivel kemi mundësi për të biseduar për ndeshjen që na pret në mars. Si Federatë kemi marrë të gjitha masat e duhura për të organizuar me sukses këtë ndeshje shumë të rëndësishme, jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë tonë të Brendshme dhe Departamentin e Integrimit dhe Sigurisë së UEFA-së. Të gjithë duhet të japin kontributin e tyre për ta organizuar sa më mirë këtë sfidë që flitet vetëm për futbollistët dhe lojën e tyre në fushë. Në një kohë sa më të shkurtë do të njoftojmë për të gjitha detajet rreth biletave dhe shitjes së tyre sipas rregullave të UEFA-së. Unë shpresoj se tifozët e të dyja përfaqësueseve do të japin kontributin e tyre, duke bërë tifo në mënyrë fer dhe korrekte, sepse vetëm në këtë mënyrë do të përfitojnë ekipet përfaqësuese. Besoj që pas 26 marsit do të flasim vetëm për ndeshjen finalen për kualifikim në EURO 2020”, tha Sejdini.

E nga ana tjetër, Ambasadori i Republikës së Kosovës Gjergj Dedaj pohoi se secili duhet të tregojmë kulturë të madhe sportive, respekt të ndërsjellë dhe të dëshmojmë se mund të jemi protagonistë të vërtetë

“Angazhimi jonë është që së bashku ta organizojmë këtë ndeshje, secili prej nesh të jep kontribut për një spektakël futbolli. Shpresoj se do të jemi të përgatitur dhe nuk do të lejojmë që individ ose grupe të shfrytëzojnë këtë mundësi për çdo problem. Duhet të tregojmë kulturë të madhe sportive, respekt të ndërsjellë dhe të dëshmojmë se mund të jemi protagonistë të vërtetë të një spektakli futbolli, në të cilën do të urohet fituesi dhe i dëshirohet sukses për në EURO 2020”, tha Gjergj Dedaj.