Ndihma për fëmijët e porsalindur në Maqedoni, e pamjaftueshme

Për Linda Iseni Kokën, e cila sapo ka lindur foshnjën e saj të parë, 5 mijë denarë (80 euro) në muaj që i merr ndihmë nga shteti maqedon, nuk mjaftojnë për të mbuluar as shpenzimet javore.

Marketing

“Ato 5 mijë denarë harxhohen menjëherë. Nëse bëjmë një përllogaritje të shpejtë, 5 mijë denarë shkojnë për vitamina, qumësht… për gjërat që ka nevojë një foshnje e porsalindur dhe për një javë, më e shumta për dy – këto mjete më nuk i ke”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Në Maqedoninë e Veriut ndihma e shtetit për fëmijën e parë është 5 mijë denarë. Kjo shumë jepet vetëm një herë.

Linda ka punuar pa kontratë të përhershme pune, rrjedhimisht nuk ka të drejtë në shfrytëzimin e pushimit me pagesë, andaj, siç thotë ajo, është e detyruar që krahas përkujdesjes për foshnjën e saj, të mendojë për një punë me orar të shkurtuar, në mënyrë që të mund të përballojë shpenzimet për foshnjën.

“Si nënë e re më duhet të rrisë djalin tim të vogël dhe njëkohësisht të mendoj për një punë, pasi shpenzimet janë të papërballueshme”, thotë ajo.

Edhe Mirosllava Simonovka, po ashtu nënë e një foshnjeje, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndihma e shtetit për nënat është e vogël dhe se kjo e bën që të mendojë nëse do të sjellë në jetë edhe një fëmijë tjetër.

“Për të dalë nga spitali një palë rrobe me të cilat do ta vishni foshnjën tuaj kushtojnë 1 mijë denarë , pakoja e qumështit pluhur [nëse nëna nuk është gjidhënëse] kushton nga 1 mijë deri 1.400 denarë, vitaminat për zhvillimin e kockave të foshnjës kushtojnë 1 mijë denarë, dhe shto këtu dhe pecetat. Pra, ende pa dalë nga spitali pas lindjes, ju keni shpenzuar ato 5 mijë denarët”, thotë ajo.

Sipas saj, në këtë kohë krize, krevati dhe karroca për fëmijë konsiderohen luks, pasi shpenzimet për to tejkalojnë shumën prej 500 eurosh.