Në një debat publik që diskutohej për ndotjen e ajrit, Ministri i ekologjisë ngurronte të fliste për shkaqet dhe masat që do të merren nga shteti. Madje edhe përkthyesja e tij, insistonte që pyetjet të bëhen vetëm për temën e prezantimit të një raporti ndërkombëtar mbi ndotjen në vend. Atë që tha, ishte përsëritja e qëndrimit të së premtes, pas takimit me inspektorët për masat e reja anti-ndotje.
Në strategjinë afatgjate është gazifikimi i vendit. Në plan afatshkurtër do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të ndaluar ndotjen, siç janë ndezja e zjarreve dhe industrinë do ta kontrollojmë më mirë, do të rishikojmë kompani të ndryshme për lejet integrale A dhe B dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për një kohë të shkurtër. Në plan afatgjatë kjo është një çështje komplekse, për të cilën duhet të punojmë të gjithë së bashku – deklaroi Naser Nuredini, Ministër i Ekologjisë.
Në pyetjet e gazetarëve gjatë panelit, Ministri Nuredini nuk tregoi se sa gjoba janë shqiptuar ndaj ndotësve të ajrit. Atë që nuk e di ministri, Alsat e mësoi nga Inspektorati i Ambientit Jetësor, duke siguruar edhe emrat e subjekteve që sivjet nuk kanë respektuar standardet ekologjike.
Gjatë vitit 2019 janë kryer 1776 kontrolle në terren dhe janë shqiptuar 49 gjoba për ndotje të ambientit. 6 prej tyre janë padi penale dhe 43 të tjera janë për kundërvajtje – thonë nga Inspektorati Shtetëror i Ambientit Jetësor.
Nga shoqatat e ambientalistëve thonë se Inspektorati shtetëror dhe inspektorët komunal nuk janë në krye të detyrës dhe prania e policëve gjatë inspektimit do të lehtësonte legjitimimin e ndotësve.
Normalisht që nuk e kanë kryer punën si duhet, nuk duhej të priteshin reagimet e qytetarëve për përtacinë e tyre. Kemi Kodin Penal që parasheh vepra penale dhe kundërvajtjeje për pastërtinë publike, vetëm ta dini që për hedhjen e një filtri të cigares dënimi është 50 euro, kështu që shihet në teren se sa është punuar për ndotësit e mëdha. Nuk mund të presim që vetëm në bazë të apeleve të ndryshohet diçka, duhet të bëhen kontrolle dhe sanksione të rrepta që të ndalojnë të gjithë ata që nuk e zbatojnë ligjin dhe ndotin ajrin – deklaroi Nevena Georgievsk, “Iniciativa O2”.
Ndërkaq, sot Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën i dorëzoi Ministrit të ekologjisë një raport me 72 rekomandime se si të përmirësohet ambienti jetësor. Sipas tyre shkaktarë të ndotjes janë sektori i prodhimit të energjisë me qymyr, i cili kontribuon 90% të emetimit të Sulfur dioksidit, vjetërsia e automjetet që mesatarja është 18,6 vjet dhe amvisëritë.
Raporti i “UNECE” tregon se nga ndotja e ajrit kontribuon në 3,000 vdekje të parakohshme në vit, ndërsa ulja e niveleve të grimcave PM2.5 sipas standardeve të BE-së, mund të shpëtojë afërsisht 874 jetë. Sipas tyre duhet të përmirësohet rrjeti i monitorimit të cilësisë së ajrit, të ndryshohet protokolli i prodhimtarisë së metaleve të rënda, të ulet përdorimi i karburanteve fosile në prodhimin e energjisë, të gazifikohet sektori i ngrohjes dhe të subvencionohen burimet rinovuese të energjisë.