Shkupi vazhdimisht është ndër qytetet më të ndotura në botë, por sipas zëvendësministrit të mjedisit jetësor, Jani Makraduli, matjet e qendrave monitoruese tregojnë se në krahasim me pesë vitet e kaluara, në tre muajt e fundit të vitit 2019 ka pasur ulje drastike të ndotjes së ajrit.
“Nuk po them se nuk ka ndotje, të mos keqkuptohem, por ende në Shkup nuk e kemi shpallur. Ekzistojnë ligje dhe masa që janë miratuar si nga qeveria ashtu edhe nga Qyteti i Shkupit, ende nuk kishim moment për shpalljen e gjendjes alarmante, që parashihen një sërë masash të cilat do të duhej të ndërmerren. Kjo është rezultat i aktiviteteve të përbashkëta, vetëdijes më të lartë të qytetarëve dhe institucioneve.”,- deklaroi zëvendësministri i mjedisit jetësor, Jani Makraduli.
Mjekët: Ndotja e ajrit dëmton shëndetin e qytetarëve
Nga ana tjetër, mjekët thonë se niveli i lartë i ndotjes së ajrit paraqet rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
“Ajri i ndotur mund të ndikojë keq në shëndetin e njeriut dhe mund të përhapë gripin dhe çfarëdo lloj sëmundje respiratore. Por, tek personat me grip mund të sjellë komplikime tjera në shëndetin e njeriut, që mund të përfundojnë me vdekje.”,- tha një mjeke.
Si pjesë e eliminimit të burimeve të ndotjes së ajrit në disa spitale, shkolla dhe çerdhe është implementuar sistemi i ri për ngrohje me gaz natyral.