Ndotja e ajrit, “Megjashi” përgadit padi kundër shtetit

Nga ndotja e ajrit, çdo i dyti fëmijë ka probleme me traktin respirator, është shtuar numri i fëmijëve me sëmundje kardiovaskulare, si dhe fëmijë të lindur para kohe, thonë nga Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi”. Rritja e grimcave kancerogjene në ajër e vë në pikëpyetje të drejtën e jetës, alarmojnë nga Megjashi, e cila po përgatit një padi kundër shtetit.

Marketing

“Jemi në proces të përgatitjes së padisë, sepse vlerësojmë se e drejta e jetës është vënë në pikëpyetje. Kemi pasur dy takime me avokatin që na përfaqëson dhe presim së shpejti mendim nga disa ekspertë për të na treguar se sa dëm na bën ndotja e ajrit në zhvillimin e fëmijëve me qëllim që të mobilizohemi që shteti të mbajë më tepër llogari për jetën e fëmijëve”,- tha kryetari i Ambasadës së parë të fëmijëve “Megjashi”, Dragan Zmjanac.

OJQ-të ankohen edhe se Kuvendi shumë pak merret me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Kuvendi në seancat plenare nuk ka diskutuar në mënyrë direkte për fëmijët, por çështja e ndotjes dhe ndikimi te fëmijët është përfshirë vetëm te pyetjet e deputetëve. Këtë vit janë parashtruar 300 pyetje nga deputetët, por vetëm 2 prej tyre janë për masat për mbrojtjen e fëmijëve nga ndotja dhe për vendosjen e filtrave në “Jugohrom””,- theksoi Jana Zingovska nga OJQ.

Shkupi, Tetova dhe Manastiri radhiten mes dhjetë qyteteve më të ndotura në Europë dhe padyshim fëmijët janë ata që do të vuajnë pasojat e ndotjes më gjatë se gjithë të tjerët.