Ndotja e ajrit sërish në nivel alarmant në shumë qytete të vendit

Rikthehet ndotja e ajrit në vend. Stacionet matëse tregojnë mbi kufirin e lejuar praninë e grimcave PM10 në disa qytete të Maqedonisë së Veriut. Në kryeqytet në nivele alarmante u evidentuan disa zona, andaj Qyteti i Shkupit nisi të mobilizoj inspektorët komunal duke kërkuar të punësoj edhe dy inspektorë të mjedisit jetësor. Ndër qytetet më të ndotura vazhdon të mbetet edhe Tetova. Së fundmi autoritetet lokale dhe ato qendrore fajin e ndotjes ia lënë pluhurit. Makineri të rënda kanë pushtuar rrugën Industriale. Disa i gëzohen rikonstruimit ndërsa të tjerët i ankohen pluhurit të ngritur nga punimet. Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” thonë se çdo një orë bëhet spërkatja e rrugës më cisterna për të ulur ndotjen, megjithëse drejtori Bekim Memeti nuk e sheh si kompetencë të tyren.

Marketing

Unë ju kërkoj falje qytetarëve të Tetovës sepse gjatë fundjavës kemi sjell makineritë më të rënda prej gjithë vendit këtu në qytetet për aspektin kohorë sepse ofrohet dimri. U kërkojmë falje për shqetësimin dhe siç thoni ju për ndotjen e ajrit nëse kemi shkaktuar diçka të tillë, megjithëse nuk ishte në ingerencat tona – tha Bekim Memeti, Drejtor i N.P. “Rrugët e Maqedonisë” – Tetovë.

Nga Ministria e Ekologjisë thonë se rikonstruimi në këtë rrugë është arsyeja për rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit në Tetovë. Gjatë ditëve të kaluara, stacioni matës në Tetovë, tregoi se dendësia e grimcave PM 10 janë mbi vlerat e lejuara. Bëjnë thirrje për larje të rregullt të rrugëve.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, kërkoi nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis të dalë në teren dhe nga afër të kontrollojë burimet e mundshme të ndotjes. Pas inspektimit në teren, u konstatua se në Bulevardin Vidoe Smilevski Bato, afër vendndodhjes së stacionit matës është duke u zhvilluar rikonstruimin i rrugës, dhe si rrjedhojë shkakton sasi të konsiderueshme e pluhurit – njoftojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndërkaq, sipas studimeve të fundit ndërkombëtare ndotja e ajrit është shkaktar jo vetëm i sëmundjeve të organeve të frymëmarrjes por edhe i sistemit nervor. Në Universitetin e Pekingut shkencëtarët erdhën në përfundim se thithja e ajrit të ndotur në vazhdimësi mund të shkatërroj në masën e bardhë të trurit apo zonën kognitive që ka të bëjë me shkaqet e pengesave në të folur.

Rezultatet e studimit treguan se duke pasur truri femëror masë më të madhe të bardh të trurit, dëmtimi i saj është më i ngadalshëm që do të thotë se truri mashkullor është më i ekspozuar. Sipas të dhënave të Organizatës botërore shëndetësore, 93% e fëmijëve më të vegjël se 5 vjet çdo ditë thithin ajër të ndotur, të cilat shkaktojnë probleme ne zhvillimin e trurit.