Ndotja e ajrit në periudhën 2015-2016 ua ka marrë jetën 1469 qytetarëve në Maqedoni. Këto janë të dhënat e raportit të Agjencisë evropiane për ambient jetësor. Raporti i Komisionit evropian konstaton se Maqedonia së bashku me Kosovën, Serbinë, Bullgarinë dhe Hungarinë kanë nivelin më të lartë të vdekjes si rezultat i ndotjes. Në Maqedoni pragu i vdekjes në vitin 2015 në nivel evropian ka kapur shifrën prej 28,7 nga 100 qytetarë, ndërkohë që pragu i vendeve evropiane arrin në 13,9. Ndërkohë, zëvendës ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Hani Makraduli, për Dojçe Vele ka thënë se bëhet fjalë për shifra të vjetra dhe se ndërkohë ka rënë niveli i ndotjes së ajrit si pasojë e pastrimit dhe kontrolleve të shumta. Ndërkohë, dhjetëra nxënës të shkollave fillore të Tetovës protestuan kundër ndotjes së ajrit, fillimisht në qendër të Tetovës dhe më pas edhe përpara komunës së Tetovës. Nxënësit thanë që organet komunale qëndrojnë duarkryq kundrejt këtij fenomeni.
“Kemi dalë për ajër të pastër. Duhet të merren masa të kemi ajër të pastër”.
“Ne kemi dalë të protestojmë për ajrin e ndotur në Tetovë. Komuna të ndërmarrë diçka që të mos jetë kaq i ndotur ajri. Do të protestojmë derisa të pastrohet ajri”.
“Shkaku i ajrit të ndotur dolëm shkollat fillore të protestojmë sepse, komuna nuk ndërmerr aspak masa. Sepse shkaku i ajrit të ndotur na paraqiten sëmundje të shumta”, shprehen disa nxënës.
Kurse nga komuna e Tetovës vetëm thonë se Inspektorati Komunal që nga fillimi i sezonit të ngrohjes nëpër amvisëritë ka kryer rreth 50 kontrolle.
“Inspektorati komunal në këtë periudhë 1 mujore prej kur ka filluar sezoni i nxehjes nëpër amvisëritë, objektet industriale dhe institucionet, ka kryer më shumë se 50 kontrolle, disa prej tyre me paraqitje nga qytetarët, kurse pjesa më e madhe janë kryer me detyrë zyrtare. Si zakonisht në këtë periudhë të vitit kontrollohen kapacitet industriale që operojnë me leje të integruar të kategorisë B, si dhe fabrikat për prodhimin e mobileve të cilat në të shumtën e rasteve bëjnë djegien apo shitjen e materialeve të drurit, që përmbajnë kemikate dhe që gjatë djegies janë të dëmshme për shëndetin e qytetarëve”, thonë nga komuna e Tetovës.
Si qytete më të ndotura figurojnë Shkupi, Tetova, Manastiri, Gostivari, Kërçova dhe Kumanova.