Ndërsa lufta ka përfshirë të gjithë Europën, një komb i vogël po shijon një rritje të papritur ekonomik. Gjeorgjia është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë këtë vit, pas një fluksi dramatik prej më shumë se 100,000 rusë që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska dhe mobilizimit për të grumbulluar rekrutët e luftës.
Ndërsa pjesa më e madhe e globit shkon drejt recesionit, ky vend me 3.7 milionë banorë në kufi me Detin e Zi pritet të shënojë një rritje të fuqishme prej 10% të prodhimit ekonomik për vitin 2022. Kjo do të bënte që ekonomia e këtij shteti, e njohur në rajon për malet, pyjet dhe luginat, të tejkalojë tregjet në zhvillim si Vietnami dhe eksportuesit e naftës si Kuvajti.
“Në anën ekonomike, Gjeorgjia po ecën shumë mire. Ka një lloj bumi. Të gjitha industritë po ecin shumë mirë nga mikro deri tek korporatat. Nuk mund të mendoj për ndonjë industri që këtë vit ka probleme”, tha për Reuters Vakhtang Butskhrikidze, CEO i bankës më të madhe të vendit.
Të paktën 112,000 rusë kanë emigruar në Gjeorgji këtë vit, tregojnë statistikat e kalimit të kufirit. Një valë e parë e madhe prej 43,000 banorësh mbërriti pasi Rusia pushtoi Ukrainën më 24 Shkurt. Bumi ekonomik i Gjeorgjisë qoftë jetëshkurtër apo jo ka habitur shumë ekspertë që panë pasoja të tmerrshme nga lufta për ish-republikën sovjetike, pasuritë ekonomike të së cilës janë të lidhura ngushtë me fqinjin e saj më të madh përmes eksporteve dhe turistëve.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikoi në Mars se konflikti në Ukrainë do t’i jepte një goditje të madhe ekonomisë gjeorgjiane. Po kështu, Banka Botërore parashikoi në Prill se ekonomia e Gjeorgjisë do të binte në 2.5%. Megjithatë, nga kjo rritje e ekonomisë nuk po përfitojnë të gjithë, pasi çmimet janë rritur përfshirë këtu qiratë e banesave dhe pagesat e shkollave në vend. Udhëheqësit e biznesit shqetësohen gjithashtu se vendi mund të përballet me një ulje ekonomike nëse lufta përfundon dhe rusët kthehen në shtëpi.
Gjeorgjia dhe Rusia ndajnë një vendkalim kufitar tokësor dhe një politikë liberale emigracioni që lejon rusët dhe njerëzit nga shumë vende të tjera të jetojnë, punojnë dhe krijojnë biznese në vend pa vizë. Midis Prillit dhe Shtatorit, rusët transferuan më shumë se 1 miliard Dollarë në Gjeorgji nëpërmjet bankave ose shërbimeve të transferimit të parave, pesë herë më shumë se gjatë të njëjtëve muaj të vitit 2021, sipas bankës qendrore gjeorgjiane.