Ndryshime në Superligë, tani edhe vendi i tetë rrezikon rënien

Komiteti Ekzekutiv pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë një vendim të rëndësishëm, sa i përket sezonit të ri të Kategorisë Superiore, që pritet të startojë më datën 24 gusht.

Marketing

Bëhet fjalë për një ndeshje Play Out, që vendi i tetë i renditjes do ta luajë për të siguruar mbijetesën, përballë fitueses mes vendeve të dyta të grupeve A dhe B të Kategorisë së Parë.

Deri tani binin nga Superiorja dy skuadra dhe ngjiteshin fitueset e grupeve përkatëse të Kategorisë së Parë, ndërsa këtë sezon edhe vendi i tetë nuk do ta ketë të sigurt mbijetesën, ndërsa vendet e dyta të grupeve në Kategorinë e Parë do të shpresojnë deri në fund për ngjitjen në Superligë.

Kjo lëvizje pritet ta bëjë edhe më interesante garën në Kategorinë e Parë, që shpesh mbyllej pasi skuadrat në grupet përkatëse shkëputeshin me pikë dhe binte interesi për ekipet e tjera.

Ndërkohë, po sa i përket Kategorisë së parë, këtë sezon do të bien nga dy skuadra për çdo grup, dhe do të ngjiten vetëm dy të tjera, me qëllim që në sezonin 2020-2021 të ulet numri i ekipeve që garojnë, nga 20 në 18.

Po sot në Komitetin Ekzekutiv u vendos që të mos ndryshohet numri i të huajve të lejuar në fushë për skuadër, pasi klubet kishin kërkuar që të rritej nga 4 që është aktualisht në 5.

Gjithashtu, për të shmangur problemet financiare të reflektuara në sezonin e fundit, Komiteti Ekzekutiv ka paralajmëruar klubet se duhet të mbyllin detyrimet brenda 31 korrikut, për t’u licencuar për të garuar në Kategorinë Superiore.

Marketing