Ndryshimet kushtetuese, Bilalli: Zaev e opozita të bëjnë ç’mos për sukses

Seanca për verifikimin, miratimin dhe shpalljen e amendamenteve 33,34,35,dhe 36 të kushtetutës është caktuar për të mërkurën, më 9 janar. Pas diskutimit publik dhe pranimit të disa rekomandimeve të opozitës, kryeministri Zoran Zaev deklaroi se aktualisht janë siguruar 76 vota “Po”. Të diskutueshme janë votat e opozitës shqiptare, e cila e pakënaqur nga përgjigjja e Qeverisë deri në këtë fazës ka paralajmëruar amendamente për amendimin e amendamenteve të Qeverisë.

Marketing

Profesori universitar Mersel Bilalli konsieron se këto ndryshime kushtetuese janë me rëndësi historike për vendin dhe rajonin dhe rekomandon qasje me përgjegjësi nga të gjitha palët.

“Në këtë moment duhet bërë çmos që edhe nga ana e kryeministrit dhe pushtetit edhe nga ana e opozitës, madje edhe asaj shqiptare. Pra, mendoj se, ky segment nuk duhet të jetë çështje e diskutueshme dhe shumë çështje madje mund të hapen gjeneralisht dhe mund të diskutohet për ndonjë kushtetutë shumë më moderne se kjo, e cila është konglomerat i shumë segmenteve dhe shpesh kontradiktore. Por ky moment është historik i përgjithshëm i inetersit rajonal, paqës, sigurisë, zhvillimit por, edhe i interesit shqiptar që këto amendamente të miratohen”, tha Mersel Bilalli, profesor universitar.

Sipas Bilallit, këto ndryshime janë çelësi për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE dhe mënjanimin e ndikimit rus.
“Pesha më e madh tash është anëtarësimi në NATO dhe në BE. Definitivisht pra, eliminimi i mundësisë që kjo të jetë hemisferë e ndikimit të Rusisë”, tha Bilalli.

Edhe pse aktualisht nuk ka siguruar numrin e domosdoshëm, Zaev është optimist se procesi do të jetë i sukseshëm, madje ai pret mbi 85 vota pro ndryshimeve kushtetuese, prandaj ka filluar bisedimet me partitë shqiptare opozitare por edhe me depuetët të tjerë të opozitës maqedonase.

Në takimin e së premtes me kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, janë diskutuar kërkesat e këtij subjekti opozitar por nuk është dakorduar asgjë. Takimi i rradhës është caktuar për të martën. Në ndërkohë pritet që Zaev të takojë edhe kreun e ASH-së, Zijadin Sela, për të diskutuar kërkesat e tij si kompromis për të mbështetur ndryshimet kushtetuese.