Asnjë parti opozitare nuk ka propozuar përfaqësues në Grupin e Punës për ndryshimet kushtetuese që formohet nga Ministria e Drejtësisë. Për Qeverinë ndryshimet janë “pro ose kundër BE-së” kurse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Grupi i punës për ndryshimet kushtetuese do të funksionojë pa asnjë përfaqësues të opozitës, njofton KlanM.
Në grupin e punës zyrtarisht janë propozuar 13 anëtarë, kurse duhet t`u bashkangjiten edhe ekspertët.
LSDM-ja propozoi Cvetanka Ivanovën, BDI-ja Arbër Ademin, ASH-ja Remzi Mehmetin, Lidhja e re Socialdemokrate – Sonja Mirakovskën, Partia Liberal Demokratike – Nano Ruzhinin, DOM-i Hristo Najdanovin, Partia e Pensionistëve – Temelko Ristovskin, PDSH-ja Rametulla Kuqin, Partia e Lëvizjes Turke – Eran Kurtishin dhe Partia Demokratike e Turqve – Bejxhan Iljasin.
Presidenti Pendarovski, sic njofton KlanM, ka emëruar këshilltarin e tij, Profesorin Aleksandar Spasov, Ministria e Punëve të Jashtme – Shpend Sadikin, kurse Sekretariati për Çështje Evropiane – Dragan Tilevin.
Ministria e Drejtësisë njoftoi se ekspertët që do të jenë pjesë e grupit të punës për përgatitjen e ndryshimeve kushtetuese do të bëhen publike deri në fund të javës.
Partitë opozitare VMRO-DPMNE-ja, “Levica”, Partia Socialiste dhe Lidhja Demokratike që herët njoftuan se nuk do të nominojnë përfaqësues në këtë grup.
Alternativa gjithashtu njoftoi se nuk do të merr pjesë në grupin e punës nëse nuk ka konsensus për ndryshime kushtetuese.
Lëvizja Besa deri në skadimin e afatit nuk nominoi përfaqësuesin partiak.
Futja e Bullgarëve në Kushtetutë, sic percjell KlanM, është kusht për vazhdimin e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut, por pushteti nuk e ka shumicën e nevojshme prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese.
Futja e Bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut nuk është vetëm kërkesë bullgare, por pjesë e kornizës negociuese RMV – BE, respektivisht kusht I BE-së. Deri në nëntor zgjat skriningu nga BE-ja, kurse Qeveria shpreson se deri atëherë mund të bëhen ndryshimet kushtetuese që të nis hapja e kapitujve në negociatat me BE-në.