Ndryshimet kushtetuese hyjnë në fazën e fundit

Procesi i ndryshimeve kushtetuese në pajtim me Marrëveshjen e Prespës pas pesë debateve të mbajtura publike që i organizoi Qeveria për katër projekt-amandamentet hyjnë në fazën finale. Qeveria ka obligim të parashtrojë Raport në Kuvend për debatet publike dhe propozim-amandamentet, pas çka në pajtim me Rregulloren e Kuvendit, kryetari i Kuvendit duhet ta caktojë mbledhjen plenare jo më herët se tridhjetë ditë. Në këtë fazë të ndryshimeve kushtetuese amandamente të projekt-amandamenteve mund të parashtrojnë edhe deputetët. Amandamentet kushtetuese do të konsiderohen të miratuara nëse për to votojnë 80 deputetë.

Marketing

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tashmë i paralajmëroi debatin e komisionit për amandamentet e Kushtetutës për më 17 dhjetor, dhe mbledhjen plenare të Kuvendit e cila, më herët duhet të caktohet më 9 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa votimi të ndodhë më 15 janar.

“Qeveria ka obligim të parashtrojë raport në Kuvend lidhur me debatet publike, si dhe propozim-amandamentet të cilat duhet të debatohen në fazë përfundimtare në mbledhje plenare. Në pajtim me Rregulloren, debati i Komisionit do të ndodhë më 17 dhjetor ku do të mund të propozohen amandamente të amandamenteve të propozuara nga ana e Qeverisë. Me përfundimin e atij debati të komisionit i cili do të rrjedhë sipas fazave që janë paraparë në Rregullore, parashikimet e mia janë se më herët, më 9 janar do të thirret mbledhje plenare e cila duhet të përfundojë më 15 janar, në të cilën do të ndodhë votimi i fundit i amandamenteve të Kushtetutës”, tha Xhaferi dje në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegun e tij shqiptar, Gramoz Ruçi.

Lidhur me shqetësimin e shprehur të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti rreth miratimit të amandamenteve kushtetuese, Xhaferi konsideron se kjo, sipas të gjitha gjasave është, siç thotë, thirrje që të kihet vëmendje gjatë veprimit të mëtutjeshëm, në mënyrë që të mos iritohet, përkatësisht provokohet situata e cila do të ishte në kundërshtim me përcaktimet për implementim të plotë të marrëveshjes së Prespës.

Kryeministri Zoran Zaev, ndërkaq, në debatin e katërt me radhë për ndryshimet kushtetuese, që u mbajt dje në Shtip, theksoi se ndryshimet kushtetuese do ta ndihmojnë shtetin ta lërë të kaluarën dhe të shkojë përpara. Amandamentet e propozuara e garantojnë të drejtën e vetëvendosjes, ndërsa gjuha mbetet maqedonase, potencoi Zaev. Theksoi edhe se Greqia nuk po përgatitë aneks të Marrëveshjes lidhur me gjuhën, por bëri thirrje për kujdes në retorikën edhe në Greqi edhe në Bullgari.

“Secili prej nesh duhet të japë kontribut dhe jam i bindur se idetë tuaja gjithashtu do të japin kontribut, ky është shans, të cilin duhet ta shfrytëzojmë, që Maqedonia të shkojë përpara, drejt BE-së dhe NATO-s”, tha Zaev.

Përsëriti se nëse Greqia nuk i përmbushë obligimet e veta, përkatësisht nuk e miraton Marrëveshjen e Prespës dhe Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, në atë rast nuk do të hyjnë në fuqi as ndryshimet kushtetuese. Zaev është optimist dhe se për votim të ndryshime kushtetuese do ta sigurojnë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Parlament.

Margarita Caca Nikollovska, gjykatëse ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë tha se nuk ka dyshim se Marrëveshja e Prespës ofron perspektivë më të mirë për Maqedoninë, Konsideron se ndryshimi kushtetues nevojitet. Propozojnë të pranohen amendamentet me të cilat përforcohet identiteti maqedonas. Pajtohen që Marrëveshja e Prespës të mbetet kategori kushtetuese, por jo edhe të përmendet Kushtetuta e vitit 1991.

Profesori Gjorgji Spasov thotë se katër amendamentet janë të shkurta dhe të qarta dhe “tregojnë se asgjë e rëndësishme dhe dramatike nuk ndryshohet në Kushtetutën tonë”.

Në debatin e pestë dhe të fundit i cili gjithashtu u mbajt dje, por në Universitetin shtetëror të Tetovës, zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani theksuan se çfarëdo lloj ngarkese e këtij procesi me tema të tjera mund të kontribuojë për mospërfundimin e tij në afatin e paraparë, e me atë edhe largim nga qëllimi kryesor – anëtarësimi në NATO dhe fillimi i negociatave me BE-në.

“Filluam një proces me qëllim që ta zgjidhim problemin që e bllokoi Maqedoninë nga anëtarësimi në NATO dhe në BE. Mënyra e vetme për ta shkatërruar atë proces është që të fillojmë të diskutojmë për 10 tema tjera. Edhe unë personalisht dhe ne brenda në Qeveri kemi ide si dispozita të rëndësishme nga Kushtetuta që të bëhen më të mira. Megjithatë, ejani të fokusohemi në synimin. Ai synim na bashkon, ai synim është i rëndësishëm për të gjithë dhe atë synim duhet ta përfundojmë se gjysma e zgjidhjes nuk është zgjidhur”, tha Shekerinska.

Osmani tha se do të ishte naivitet politik të ndërmerren hapa që do ta rrezikonin anëtarësimin në NATO dhe BE, që është interes strategjik jo vetëm i shqiptarëve por edhe i shumicës së qytetarëve në Maqedoni.

“Ne duhet ta përfundojmë procesin e ndryshimeve kushtetuese deri në mes të muajit janar që të mund më pas Marrëveshja e Prespës të kalojë edhe në Greqi para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në muajin maj dhe zgjedhjet parlamentare në Greqi të caktuara për në shtator, sepse ky proces nuk do të ketë shans të dytë. Anëtarësimi në NATO dhe BE me përfitimet e saja ekonomike dhe politike nuk është vetëm synim për vete, por rrugë që të transformohemi në shoqërinë evropiane dhe ta sjellim Evropën tek ne”, tha zëvendëskryeministri Osmani.

Në tre debatet e mbajtura publike më parë në Shkup u paraqitën propozime ekspertësh për përmirësimin e projekt-amandamenteve, si dhe për tejkalimin e boshllëkut kushtetues lidhur me nënshkrimin e ligjeve nga ana e presidentit të shtetit.

Në këtë fazë të ndryshimeve kushtetuese amandamente të projekt-amandamenteve mund të parashtrojnë edhe deputetët. Njëherit, sipas Rregullores, tekstin e propozimit të amandamenteve të Kushtetutës me arsyetimin dhe raportin për rezultatet nga diskutimi publik, propozuesi, përkatësisht Qeveria në këtë rast, ia parashtron kryetarit të Kuvendit, i cili më pas ua dorëzon deputetëve dhe presidentit të Republikës më së voni 30 ditë para mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit.

Në tekstin e propozimit të amandamenteve të Kushtetutës, propozuesi, secili deputet, trup punues dhe Qeveria kur nuk është propozuese, mund të parashtrojnë amandamente më së voni tetë ditë para mbledhjes së Kuvendit në të cilën do të miratohen amandamentet e Kushtetutës. me përjashtim amandamente të tekstit të propozimit të amandamenteve të Kushtetutës, propozuesi mund të parashtrojë deri në përmbylljen e debatit vetëm për shkak të harmonizimit të tekstit të propozuesit të amandamenteve të cilat janë ndryshuar për shkak të miratimit të secilit amandament.

Komisioni për çështje kushtetuese dhe Komisioni ligjdhënës – juridik rreth tekstit të propozimit të secilit amandament të Kushtetutës zhvillojnë debat të përgjithshëm dhe debat rreth tekstit, i cili mund të zgjasë më së shumti tre ditë pune. Anëtari i Komisionit për çështje kushtetuese dhe i Komisionit ligjdhënës – juridik dhe deputeti gjatë debatit të përgjithshëm dhe në debatin rreth tekstit mund të flasë disa herë në kohëzgjatje prej gjithsej 20 minutave, ndërsa koordinuesi i grupit të deputetëve gjithsej 30 minuta. përfaqësuesi i propozuesit të debatit, mund të flasë disa herë por jo më shumë se 30 minuta në përgjithësi. Rreth tekstit të propozimit të secilit amandament të Kushtetutës zhvillohet debat i përgjithshëm dhe debat rreth tekstit i cili mund të zgjasë më së shumti tre ditë pune. Deputeti gjatë debatit të përgjithshëm dhe në debatin rreth tekstit mund të flasë disa herë në kohëzgjatje prej gjithsej 20 minutave, ndërsa koordinuesi i grupit të deputetëve gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i propozuesit në debat mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta në përgjithësi.

Kuvendi deklarohet veçanërisht për secilin amandament të tekstit të propozuesit të amandamenteve të Kushtetutës, me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Deputeti gjatë debatit rerth amandamentit të tekstit të propozuesit të amandamentit të Kushtetutës mund të flasë vetëm njëherë në kohëzgjatje prej 10 minutave. Koordinuesi i grupit të deputetëve apo një deputet i caktuar nga grupi apo koordinuesi në debat rreth amandamentit mund të flasë vetëm njëherë në kohëzgjatje prej 15 minutave. Përfaqësuesi i propozuesit mund të flasë vetëm njëherë në kohëzgjatje prej pesë minutave.

Vetëm parashtruesi i amandamentit të tekstit të propozimit të amandamentit të Kushtetutës mund të japë arsyetim dhe të flasë rreth amandamentit në kohëzgjatje prej gjithsej 10 minutave, ndërsa nëse parashtrues të amandamentit janë dy apo më shumë deputetë, vetëm njëri nga parashtruesit mund të japë arsyetim dhe të flasë rreth amandamentit jo më shumë se 10 minuta.

Amandamentet që i ka parashtruar propozuesi dhe amandamentet me të cilat ai është dakorduar konsiderohen si pjesë përbërëse e tekstit të propozimit të amandamentit të Kushtetutës. Kuvendi me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve e konstaton propozimin e secilit amandament veçanërisht.

Për miratimin e amandamenteve kushtetuese nevojitet të votojnë së paku 80 deputetë.

Marketing