Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: Opozita të marrë pjesë në grupin e punës

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, është shprehur optimist se VMRO-DPMNE-ja opozitare do të marrë pjesë me ekspertë juridikë në grupin punues për përgatitjen e amendamenteve kushtetuese.

Marketing

Sipas kryeministrit, faza tjetër për procesin e ndryshimeve kushtetuese është formimi i një grupi pune ekspertësh, i cili do të koordinohet nga Ministria e Drejtësisë për përgatitjen e amendamenteve, pas së cilës do të ketë një diskutim të gjerë publik.

“Aktualisht po flasim për ndryshime kushtetuese, por askush nga qytetarët nuk e ka parë se si duken ato ndryshime kushtetuese. Faza e parë është që ato të shkruhen nga ekspertë. Nuk po flasim vetëm për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, por po flasim edhe për komunitete të tjera që kanë shprehur dëshirën të jenë pjesë e Kushtetutës sonë. Në atë grup pune do të jenë ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe do të ftohen ekspertë përfaqësues të partive, domethënë nga opozita. Unë besoj se opozita duhet ta pranojë këtë, edhe pse në të kaluarën është treguar se nuk duan të marrin pjesë në asgjë përveç bllokimit të Parlamentit, por mendoj se këtë herë duhet të marrin pjesë.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Pasi të përgatiten amendamentet, ato do të dërgohen për shqyrtim dhe diskutim të gjerë mes komunitetit akademik dhe biznesit, organizatave joqeveritare, mediave dhe qytetarëve. Pastaj vijon një fazë e debatit parlamentar për ndryshimet kushtetuese, tha Kovaçevski.

Marketing