Ndryshimet Kushtetuese, Mariçiq: Nuk jemi larg 80 deputetëve

Bllokada është në duart tona dhe nga ne varet rrjedha e procesit të negociatave, thotë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq. Ai tha se takimet e liderëve do të vazhdojnë, me qëllim që të sigurohet shumica prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në të.

“Po flasim me të gjitha grupet dhe me të gjithë deputetët dhe jam i bindur se nuk jemi aq larg sa mund të duket sigurimi i 80-ve”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Marketing

I pyetur për vizitat e shpeshta të zyrtarëve evropianë dhe nëse do të kenë sukses që të ndryshojnë qëndrimin e opozitës për ndryshimet kushtetuese, Mariçiq u përgjigj se kjo nuk paraqet presion, por se vetëm i kushtohet vëmendje procesit të vendit.

“Në fund të këtij muaji do të vijë për vizitë presidenti gjerman dhe ky trend nuk do të ndalet gjatë vitit të ardhshëm. Mendoj se Maqedonia e Veriut duhet të përdorë vëmendjen që ka nga liderët evropianë dhe institucionet evropiane, por edhe nga shtetet anëtare, sepse ne duhet ta përdorim vëmendjen e tyre për të hequr të gjitha pengesat, përfshirë amendamentet kushtetuese”, u shpreh Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Mariçiq theksoi se është sinjal i mirë që disa nga ligjet me flamurin evropian kanë kaluar filtrin parlamentar me mbështetjen e partive opozitare. Duke folur për rolin e opozitës në negociatat për anëtarësim, Mariçiq tha se pret që të përfshihet Këshilli Nacional për Integrime Evropiane dhe se tani e ka radhën deputeti Aleksandar Nikolovski nga VMRO-DPMNE-ja, si kryetar i këtij këshilli./Alsat.mk