Ndryshimet kushtetuese sipas modelit kroat, Mickoski: Në duel ose takim liderësh, jo grupe pune

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, fton kryeministrin Dimitar Kovaçevski në përballje apo takim liderësh për të diskutuar modelin kroat të kushtetutës, sipas të cilit karakteri kombëtarë do të përmbyste karakterin multietnik të shtetit. Mickoski kundërshton formimin e grupeve të punës, duke e vlerësuar jo qenësor për momentin. Propozimin për modelin kroat Mickoski do ta dorëzojë në kuvend pas hapjes së iniciativës për ndryshimet kushtetuese.

Marketing

“Ja tani po ofrojmë konsensus, konsensus rreth modelit kroat, publikisht pa u mbyllur, pa ndenjur nëpër zyra, pa fshehur asgjë nga opinioni. Të ulemi dhe ta përmbyllim punën sikurse është preambula në kushtetutën kroate, ashtu ta bëjmë preambulën në kushtetutën maqedonase. Jemi në dispozicion, duan në duel, atëherë në duel do ta flasim, duan takim liderësh, do ta flasim në takim liderësh, ku duan aty do ta flasim, nuk kemi se çfarë të fshehim. Pasi të kalojë faza e parë atëherë formohen grupet e punës. Tani ne mund që të formojmë miliarda grupe pune me lloj-lloj çështjesh, por nuk kanë efekt thelbësor.”, – deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.