Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në brifingun e rregullt të mbajtur me gazetarë, ka pohuar se “siç po i afrohemi fundit të vitit, ashtu po afrohet edhe rrumbullakimi i punës së Kuvendit për këtë vit”, ku sipas kreut të këtij institucioni, Talat Xhaferit, kanë tre deri në 5 seanca, përfshirë këtu edhe propozim amendamentet për ndryshimet kushtetuese, që priten të jenë para deputetëve që në seancën e nesërme.
“Para deputetëve nesër do të jenë propozim amendamentet për ndryshimet kushtetuese, ku presim debat të rrjedhshëm pa shumë pengesa. Një seancë është planifikuar për sjelljen e buxhetit për vitin 2019. Por, tani fillimisht jemi të koncentruar në afatet të cilat duhet t’i kapim për sa i përket ndryshimeve kushtetuese”,- tha Xhaferi.
Xhaferi po ashtu foli edhe për fjalimin e vitit të cilin do të duhet ta mbajë kryetari i shtetit në parlament, ku, sipas Xhaferit, akoma nuk është caktuar seancë, sepse kuvendi nuk ka pranuar nga kabineti i Ivanovit deri tani asnjë kërkesë për përcaktimin e afatit për fjalimin e tij para deputetëve, e cila vitin e kaluar ka qenë më datën 19 dhjetor.
“Në punën e Kuvendit nuk është paraparë deri në këto momente ndonjë seancë për fjalimin vjetor të kryetarit, sepse i njëjti nuk e ka informuar Kuvendin. Ivanovi nuk ka detyrim që të mbajë fjalim në Parlament, por se kjo është e drejta e tij. Në dhjetor Kuvendi ka planifikuar tre seanca”,-theksoi Xhaferi.
Xhaferi po ashtu u përqendruar edhe në shpalljen e zgjedhjeve presidenciale, ku sipas tij, Ivanovit mandati i përfundon më 2 maj të vitit të ardhshëm, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të shpallen me siguri në fund të janarit ose në fillim të shkurtit, apo më mirë thënë 90 ditë para përfundimit të mandatit të tij.
Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, për të cilën Ligji për ratifikim nuk e ka nënshkrimin e kryetarit të shtetit dhe nuk është parashtruar në Gazetën Zyrtare, Xhaferi tha se do ta dërgojë pa nënshkrimin e Ivanovit, por nuk e saktësoi se kur.