Ndryshimet kushtetuese, Zaev-Sela pajtohen për korrigjimin e preambulës

Vijnë dakordimet e para midis qeverisë dhe Aleancës për Shqiptarët mbi ndryshimet kushtetuese.
Në takimin e realizuar, kryeministri, Zoran Zaev, dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, janë marrë vesh për korrigjime në preambulë. Zaev shprehet se ka marrë konfirmim nga Sela se do të votojnë ndryshimet kushtetuese.

Marketing

“Në pjesën e preambulës të hiqet pjesa: qytetarët që jetojnë në kufijtë, që mos të lihet përshtypje se qytetarët shqiptarë, turq, romë dhe vlleh janë përkohësisht këtu, andaj kjo pjesë është pranuar. Sot hoqëm edhe qytetarët, pasi që nga aspekti teknik përsëritja e fjalës qytetarë në preambulë qëndron dy herë dhe me heqjen krijojmë ndjesinë se të gjithë jemi të barabartë para kushtetutës dhe shtetit. Aleanca për Shqiptarët sot konfirmuan se do të mbështesin ndryshimet kushtetuese”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Sela tha se do të insistojnë për barazi në shtet dhe gjuha shqipe të jenë zyrtare në mbarë territorin e Maqedonisë.

“Ngelemi në përcaktimin tonë rreth gjuhës shqipe dhe zëvendësimin e definicionit të gjuhës shqipe: është gjuha që e flasim mbi 20% e popullatës dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja, të zëvendësohet me definicionin ashtu siç i ka hije, që është gjuha shqipe dhe shkrimi i saj”,- theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Besa opozitare shprehet e përmbajtur rreth mbështetjes së ndryshimeve kushtetuese. Deputeti, Fadil Zendeli, konsideron në gjetjen e gjuhës së përbashkët për përfshirjen e kërkesave të tyre në ndryshimet e reja kushtetuese.

“Vlerësojmë dhe besojmë se me vullnet të mirë dhe të shumicës parlamentare edhe të qeverisë, edhe ne si parti politike opozitare, mund të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe me të cilën do të arrihej një shumicë që këto ndryshime kushtetuese edhe të kalojnë në kuvend”,- tha Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

BDI kërkon mbështetje për Marrëveshjen e Prespës dhe dyshon në ekzistimin e dorës së fshehur për kompromitimin e procesit në finale.

“Unë nuk them se partitë politike shqiptare janë pjesë e kësaj dore të fshehur, por ndonjëherë nga mosgjetja, nga mospasja e eksperiencës së mjaftueshme në proceset e tilla të ndërlikuara mund të krijoni një perceptim të tillë. Shërbimin më të keq që mund t’ia bëni shqiptarëve në këtë moment para botës është të prezantoni se shqiptarët janë ata të cilët e pengojnë anëtarësimin e vendit në NATO”,- u shpreh zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.

VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në votimin e ndryshimeve kushtetuese, ndërkaq social demokratët kërkojnë që të gjithë të kontribuojnë për realizimin e prioriteteve euroatlantike.

“VMRO-DPMNE mbetet në qëndrimin se nuk do të marrë pjesë në punën e kuvendit, ashtu edhe siç u paralajmërua nga grupi parlamentar”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

“Pres dhe apeloj të gjithë deputetët që të ngrihemi mbi interesat partiake dhe të veprojmë në interes të qytetarëve të Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s”,- theksoi Kostadin Kostadinov nga LSDM.

Faza finale për votimin e ndryshimeve kushtetuese është caktuar për nesër në mesditë dhe pritet të përmbyllet më së voni deri më 15 janar.

Marketing