Ndryshimi i stemës shtetërore të zgjidhet në një pako së bashku me tema tjera etnike si ndryshimi i himnit shtetëror dhe heqja e 20 përqindëshit nga Kushtetuta për gjuhën shqipe, ka deklaruar ministri i shëndetsisë Arben Taravari.
Sipas tij, Maqedonia e Veriut është një nga të paktat shtete postsocialiste që nuk e ka ndryshuar stemën.
“VLEN është i gatshëm të bisedojë për gjithçka. Për fat të keq, në periudhën e kaluar, më shumë tema të ndjeshme janë lënë mënjanë. Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për një pako masash që kanë mbetur të pazgjidhura për 20 – 30 vitet e fundit dhe t’i zgjidhim ato në një pako. Pse të mos përfshihen këtu edhe stema, himni, 20 përqindëshi dhe çështje të tjera etnike, nëse ka, dhe më në fund të fokusohemi te ekonomia, integrimi evropian, lufta kundër korrupsionit, pagat më të mira, jeta më e mirë.” – tha Ministri i Shëndetsisë, Arben Taravari.