Në Çair hapet shoqata për zhvillimin e rinisë “Youth Community Center”

U hap sot në Çair Qendra e Komunitetit Rinor, hapësirë inovative publike për të mbështetur dhe stimuluar kreativitetin te të rinjtë, për t’i kyçur ata në aktivitete të ndryshme, por edhe për të krijuar bashkëpunim dhe atmosferë pune mes etnive.
Qendra e Komunitetit Rinor në Çair, siç thonë koordinatorët e projektit, ka për qëllim që t’u ofrojë të rinjve një hapësirë ku ata mund t’i vënë në jetë idetë inovative të tyre, të organizojnë aktivitete të ndryshme por edhe të krijojë atmosferë pune mes etnive të ndryshme. Ata planifikojnë që së shpejti të fillojnë me organizimin e aktiviteteve.

Marketing

Të pranishëm në inaugurimin e kësaj qendre ishin edhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, sipas të cilit kjo qendër do të shërbejë si një forum për të promovuar kryesisht nisma të orientuara nga rinia. Por edhe në të ardhmen të bëhet një zë kritik në mbrojtje të mendimit të lirë, udhëheqjes së përgjegjshme, diverzitetit dhe barazisë së dallimeve.

“Demokracitë e reja ende kanë rrugë të gjata dhe mjaft komplekse për të kaluar derisa të konsolidojnë plotësisht veten e tyre. Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës dhe krenarë që i kemi Shtetet e Bashkuara si mbështetësit tanë, miqtë dhe aleatët në ecjen tonë drejtë bërjes së demokracive funksionale të plotë”, tha Ganiu.

Në ngjarje mori pjesë edhe Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e Amerikës në RMV, Jennifer R. Littlejohn.

“Është kënaqësi për mua të jem këtu në emër të Qeverisë së SHBA-ve. Ne dimë që kjo hapësirë u krijua si bashkëpunim mes komuniteteve, organizatave joqeveritare, bizneseve, pushtetit lokal dhe komuniteteve ndërkombëtare, kjo dëshmon se si nëse punojmë së bashku mund të krijojmë kushte që të rinjtë të krijojnë një të ardhme më të mirë. Ambasada e Amerikës është shumë krenare që ka ndihmuar sadopak në krijimin e kësaj qendre”, tha Littlejohn.

Koordinatorët e projektit shprehen optimistë se kjo qendër do të ndihmojë të rinjtë të kyçen në aktivitete dhe të inicojnë ndryshime në shoqëri.