Në Çair u promovua Rruga me emrin “Sulë Hotla”

 Në Komunën e Çairit sot u përurua rruga që mban emrin e veprimtarit të çmuar të çështjes kombëtare shqiptare Sulë Hotla. Aktin e përurimit të rrugës e bënë kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, deputetët Izet Mexhiti e Merita Koxhaxhiku, historiani dhe bashkëvendasi i Sulë Hotlës, Hisni Shaqiri, familjarë të kryetrimit shqiptarë dhe shumë qytetarë nga Shkupi e Kumanova. Menjëherë pas promovimit të rrugës, nën patronazhin e Komunës së Çairit u mbajt edhe Akademia përkujtimore për veprën dhe jetën e Sulë Hotlës. Me këtë rast kreu i Çairit, Visar Ganiu tha se çdoherë që përmendet emri i Sulë Hotlës, kujtojmë gjithë luftën e rezistencën që ky kreshnik, simboli i Karadakut, bashkë me shokët e tij e bëri për shqiptarinë.“Sulë Hotla nuk kontribui vetëm për vendlindjen e tij por kontribuoi për gjithsecilin prej nesh, kontribuoi për kauzën tonë kombëtare, duke u bërë ballë të gjithë atyre që e donin kombin shqiptarë të ndarë e të përçarë”, tha Ganiu.

Ai shtoi se veprën e Sulë Hotlës sot e jetësuam jo dokudo por në Shkupin tonë, në kryeqendrën tonë, në Çairin tonë duke i vendosur emrin e rrugës këtij kryetrimi që të dihet e të mbahet mend mirë se kush ishte ai, e kush na bëri të jemi ne sot këtu ku jemi.

Kreu i Çairit me këtë rast përkujtoi edhe rrugëtimin me vendosjen e emrave të rinj në Komunën që ai drejton . “Të jem i sinqert deri te vendosja e tabelave të rrugëve me emrat e rinj të historisë sonë të ndritshme kombëtare në Komunën e Çairit parapriu një rrugëtim dhe proces aspak i lehtë që e kishte nisur kryetari i parë i parë i Shkupit të Vjetër, Izet Mexhiti dhe vazhdova unë.

E ky rrugëtim pas shumë e shumë përpjekjeve pas shumë pengesave që i tejkaluam sepse kishim vullnetin ti bëjmë ballë çdo sfide, pas shumë mohimeve që na u bënë e ne i tejkaluam sepse ishim të vendosur të bëjmë edhe të pamundurën, ne emrin e Sulë Hotlës e jetësuam”, tha Ganiu duke shtuar se këtu gjithsesi kishin edhe ndihmën e pamohueshme të këshilltarëve të Qytetit të Shkupit të cilët edhe i falënderoi pa masë.

Marketing

“Arritëm që mijëra qytetarë tanë sot të kenë nëpër letrat e tyre të identifikimit dhe dokumentet e tjera, emrin e Sulë Hotlës. Arritëm që në kryeqendrën tonë Shkup të qëndrojë prore emri i Sulë Hotlës, pranë njërit nga bulevardet më frekuente ku kalojnë jo vetëm mijëra qytetarë të vendit tonë por edhe turistë nga mbarë bota”, tha Ganiu në Akademinë përkujtimore.

Ndërkaq Hisni Shaqiri historian dhe bashkëvendas i Sulë Hotlës duke mos fshehur kënaqësinë që emri i këtij kryetrimi u jetësua në Shkup tha mes tjerash se Sulë Hotla ishte si Isa Boletini e Hasan Prishtina.