Zonja e Parë e Ukrainës u bëri thirrje liderëve botërorë dhe shefave të korporatave në Forumin Botëror Ekonomik që të bëjnë më shumë për të ndihmuar shtetin e saj, në kohën kur pushtimi rus po lë fëmijët të vdesin dhe bota po përballet me pasiguri ushqimore.
Teksa afrohet përvjetori i parë i luftës, Olena Zelenska tha se prindërit në Ukrainë po qajnë teksa po shohin mjekët duke u munduar të shpëtojnë fëmijët e tyre, fermerët janë të frikësuar t’i kthehen punimit të fushave nga frika e minave dhe “ne nuk mund të lejojmë që të ndodhë një Çernobil i ri”. Ajo iu referua fatkeqësisë bërthamore të vitit 1986, teksa raketat ruse për muaj të tërë po godasin infrastrukturën e energjisë së Ukrainës.
“E përbashkëta jonë është se ju jeni shumë influencues”, tha Zelenska para të pranishmëve. “Por, ka diçka që na ndan, e ajo është se jo të gjithë ju shfrytëzoni ndikimin tuaj, ose ndonjëherë e përdorni në atë mënyrë që na ndan më shumë ne”.
Ajo foli para qindra zyrtarëve qeveritarë, udhëheqësve të kompanive, akademikëve dhe aktivistëve nga e mbarë bota që po marrin pjesë në forumin që mbahet në Davos. Në këtë forum bisedohet për problemet me të cilat përballet bota sikurse uria, ndryshimet klimatike, ngadalësimi ekonomik dhe tema të tjera.
“Tani kjo është më e rëndësishme në kohën kur agresioni i Rusisë paraqet shumë sfida në Evropë”, tha Zelenska.
Lufta në Ukrainë, që Rusia nisi më 24 shkurt 2022, ka vrarë mijëra civilë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur. Lufta po ashtu ka shkaktuar krizë në tregjet globale, teksa inflacioni dhe pasiguritë ushqimore janë rritur në shtetet në zhvillim.
“Të drejtën e ushqimit e ka çdo qenie njerëzore dhe është tallje me njerëzimin dhe për natyrën njerëzore që në shekullin 21 ka mundësi që ne të përballemi me uri masive, sepse ka agresion në disa shtete”, tha ajo.
Ukraina dhe Rusia kanë furnizuese kyçe të drithërave dhe ushqimeve të tjera për Afrikën, Lindjen e Mesme dhe Azinë.
Programi Botëror për Ushqim i Kombeve të Bashkuara ka thënë se 350 milionë persona në mbarë botën janë në prag të urisë për shkak të konflikteve, ndryshimeve klimatike dhe COVID-19.
Zelenska tha se “nuk ka asnjë ditë pushim nga lufta” dhe se të gjithë në Ukrainë “po rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë”, por shtoi se beson që bota do të unifikohet për paqe.
Bashkëshorti i saj, Volodymyr Zelensky, do t’i adresohet forumit në Davos përmes video-lidhjes, ndërkaq së bashku me Zelenskën në këtë ngjarje po marrin pjesë edhe disa zyrtarë ukrainas.
Davosi ofron mundësi të re për të dërguarit ukrainas që të zgjerojnë mbështetjen ndërkombëtare, sikurse me armë dhe tanke, por edhe për të kërkuar që Rusia të izolohet edhe më tej dhe të ngufatet ekonomia e saj. /REL