Në Ditën Botërore të Shëndetit, studentët e UT-së organizuan aktivitete për ndërgjegjësimin e popullatës në parandalimin e sëmundjeve

Fakulteti i Shkencave të Mjekësisë i Universitetit të Tetovës, sot e shënoi 7 Prillin – Ditën Botërore të Shëndetit. Me moton “Shëndet për të gjithë”, studentët e këtij fakulteti përmes organizimit të disa aktiviteteve para Qendrës së kulturës në Tetovë, bënë thirrje që qytetarët t’i japin përparësi shëndetit, pavarësisht nga statusi i tyre social dhe ekonomik.
Shënimi i kësaj date është përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në vitin 1948. Ky aktivitet fokusohet në një temë specifike që lidhet me shëndetin global. Motoja e këtij viti, “Shëndet për të gjithë” ka për qëllim promovimin e idesë se të gjithë, pavarësisht nga prejardhja apo rrethanat, duhet të kenë qasje në sistemin shëndetësor. Duke u nisur nga ky fakt, të gjithë duhet të punojnë për rregullimin e faktorëve socialë, ekonomikë dhe mjedisorë, që ndikojnë në rezultatet shëndetësore, dhe të sigurohemi që shërbimet e kujdesit shëndetësor të jenë të qasshme, të përballueshme dhe me cilësi. Po ashtu, kjo moto përfshin edhe promovimin e sjelljeve dhe stileve të jetesës së shëndetshme, dhe adresimin e shkaqeve rrënjësore të pabarazive shëndetësore.
Ky aktivitet gjithashtu synon edhe ndërgjegjësimin e popullatës, për parandalimin e sëmundjeve eventuale. Duke u nisur nga ky fakt, është e rëndësishme t’ju jepen përparësi traditave të shëndetshme, si ngrënia e një diete të ekuilibruar, ushtrimet e rregullta, gjumi i mjaftueshëm dhe administrimi i stresit. Kjo mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kronike, si sëmundjet e zemrës, diabetit dhe kancerit. Kujdes të veçantë duhet kushtuar edhe kontrolleve dhe ekzaminimeve të rregullta, për t’i zbuluar problemet shëndetësore sa më herët, pasi në të tilla raste edhe trajtimi është më i lehtë. Shëndeti i mirë nuk është vetëm përgjegjësi individuale, por edhe kolektive.
Dita Botërore e Shëndetit, është një ngjarje vjetore që synon të rrisë ndërgjegjësimin për çështjet globale të shëndetit dhe të promovojë iniciativa për të përmirësuar rezultatet shëndetësore për të gjithë.

Marketing