Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit u përkujtua dëshmori i arsimit shqip dhe studentët heronj të Universitetit të Tetovës

Universiteti i Tetovës, në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, me homazhe para varrezave të tyre, para Lapidarit “Flakadani i Kujtesës”, si dhe me një akademi përkujtimore, e ka shënuar këtë datë të historisë sonë dhe e ka kujtuar veprën e dëshmorëve që e sakrifikuan jetën për liri. Në këtë veprimtari me karakter kombëtar, që u mbajt në Amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”, para studentëve, profesorëve dhe të ftuarve të tjerë, autoriteteve të pushtetit qendror e lokal, është përkujtuar edhe dëshmori i arsimit shqip, Abdylselam Emini dhe studentët e Universitetit të Tetovës, Zejadin Zymberi, Burim Huseini, Bedri Halimi dhe Xhemil Abdurrahmani, të cilët ranë dëshmorë në luftën e lavdishme të vitit 2001. Në këtë aktivitet, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti u shpreh se, organizimi i akademive përkujtimore për këta atdhetarë që bënë historinë, edhe pse paraqet një kontribut modest përballë veprës së tyre, vlerësojmë se mbetet forma e vetme për të përjetësuar emrat e tyre në historinë tonë kombëtare.

Marketing

“Dëshmorët janë emra njerëzish që dolën nga gjiri i këtij populli, janë krenaria e këtij populli që e sollën lirinë në mesin tonë. Kur ndodhesh në mes kujtesës, për një të kaluar të hidhur dhe nën okupim, me të sotmen e lirë, atëherë, të gjithë duhet t’i kemi para syve tanë, protagonistët e të sotmes, e që janë vetë dëshmorët. Historia jonë kombëtare përshkruhet me ngjarje të shumta, të cilat sa janë të rëndësishme dhe të lavdishme, por njëkohësisht janë të dhimbshme dhe tragjike. Në kohën kur bota e civilizuar po kalonte procesin e globalizmit, të hapjes dhe të afrimit midis popujve, të mënjanimit të ndasive dhe të konflikteve, kombi ynë edhe më tej u përball me luftëra të tmerrshme, gjenocid e spastrim etnik nga pushtues të huaj”, deklaroi Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në vijim të fjalës së tij, ai tha se, që nga periudha e lavdishme e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, deri në kryengritjet dhe luftërat e fundit për liri dhe pavarësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni dhe Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me dhjetëra dëshmorë ranë në altarin e lirisë dhe u shndërruan në dritë të përjetshme për të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Në këtë ngjarje, në emër të kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit, fjalë rasti mbajti, Faton Ahmeti, kryetar i degës së kësaj partie në Tetovë. Ai theksoi se, 5 Maji është Dita e lavdisë, sakrificës dhe krenarisë sonë kombëtare, ditë kjo që identifikohet me më të merituarit, ditë e dëshmorëve të kombit. “Nuk ka gjë më të shtrenjtë se liria, prandaj përjetimi i saj është një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, sfiduese, deri në vetëmohim. Liria është ideali më i rëndësishëm njerëzor për të cilin dëshmorët prehen në përjetësi. Neve shqiptarëve, fati ndër shekuj na ka përplasur me domosdoshmërinë për luftëra, për të mbrojtur atdheun, kulturën dhe traditat tona. Përgjatë historisë, ne nuk shquhemi për popull luftënxitës, por luftës për mbrojtje të atdheut nuk i kemi prituar dhe falë dëshmorëve dhe gjakut të tyre të shenjtë ne sot veprojmë dhe punojmë të lirë për një të ardhme të ndritur. Historia e Universitetit të Tetovës, tempullit më të rëndësishëm të dijes për shqiptarët e këtyre trojeve nuk mund të ishte ndryshe nga historia e vetë popullit shqiptar”, u shpreh mes tjerash Faton Ahmeti.

Ndërkaq, Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, nënvijëzoi se dëshmorët e kombit janë simbol i respektit dhe atdhedashurisë, ata në historinë tonë mbeten heronj të pashembullt që për asnjë çast nuk ndaluan së shërbyeri popullit të tyre për lirinë që aq shumë e deshën e që sot e gëzojmë të gjithë ne.

“Sot, kur në të gjitha trojet etnike përkujtohen dëshmorët e kombit, ne në Universitetin e Tetovës përveçse i nderojmë të gjithë ata të rënë në altarin e lirisë ndër breza, përkujtojmë edhe studentët e Universitetit të Tetovës, të cilët i lanë përgjysmë ëndrrat e tyre për arritje profesionale dhe karrierë dhe iu bashkuan kauzës më të rëndësishme, asaj të kushtrimit të lirisë. Universiteti ynë ka qenë prijës i shumë proceseve të rëndësishme kombëtare dhe në vazhdimësi është përkushtuar në kujtimin dhe nderimin e dëshmorëve të kombit, që kanë dhënë jetën e tyre për liri, arsimim në gjuhën shqipe dhe të drejta të barabarta”, veçoi mes tjerash Kryetari i Senatit të UT-së. Në këtë ceremoni nderimi, ai po ashtu e publikoi edhe Vendimin e Senatit të Universitetit për shpalljen Dëshmor të arsimit shqip – Abdylselam Eminin dhe Heronj të Universitetit, studentët dhe dëshmorët e kombit: Xhemil Abdurrahmanin, Zijadin Zymberin, Burim Huseinin dhe Bedri Halimin.

“Në bazë të nenit 94 të Ligjit për arsimin e lartë (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr. 82/18 dhe “Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, nr. 178/2021), si dhe nenit 85 të Statutit të Universitetit të Tetovës, Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur me 13 prill 2023, solli: VENDIM për ndarjen e titullit: Dëshmor i Universitetit të Tetovës Abdylselam Eminit. Ky titull, dëshmorit Abdylselam Emini i jepet për mëkëmbjen e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, kontributin e veçantë në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare për lirinë dhe demokracinë e popullit shqiptar. Po ashtu, Senati i Universitetit të Tetovës, po të njëjtin Vendim ka sjellë edhe për ndarjen e titullit: Heronj të Universitetit, për studentët dhe dëshmorët e kombit: Xhemil Abdurrahmani, Zijadin Zymberi, Burim Huseini dhe Bedri Halimi. Ky titull, studentëve dhe dëshmorëve të kombit u jepet për sakrificën sublime, kontributin e veçantë në zhvillimin e arsimit, në kultivimin e traditave atdhetare të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare për lirinë dhe demokracinë e popullit shqiptar”, deklaroi para dhjetëra pjesëmarrësve në këtë akademi Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Titujt e sipërthënë, bashkë me logon, flamurin dhe Monografinë e këtij institucioni, udhëheqja e Universitetit ua ndau familjarëve të dëshmorëve dhe heronjve të UT-së.

Mbajtja e kësaj akademie në Universitetin e Tetovës konfirmon angazhimin dhe kujdesin e veçantë për t’i kujtuar përherë ata që e mundësuan realizimin e idealeve të gjeneratave të mëparshme dhe brezave që do të vijnë. Amaneti i tyre ishte që secili nga ne të jap kontributin e tij në përparimin e kombit tonë.