Në Fakultetin Juridik të UT-së u prezantuan rezultatet e projektit “Matja e perceptimeve të nivelit të korrupsionit në institucionet publike në rajonin e Pollogut”

Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, sot u bë prezantimi i rezultateve nga projekti “Matja e perceptimeve të nivelit të korrupsionit në institucionet publike në rajonin e Pollogut”. Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Universitetin Vrije të Amsterdamit dhe është realizuar në kuadër të aleancës Aurora, një konsorcium i universiteteve evropiane, me qëllime kërkimore, ku Universiteti i Tetovës është partner i asociuar. Të pranishmëve në këtë konferencë me fjalë përshëndetëse ju drejtuan, dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe profesorët nga Universiteti Vrije i Amsterdamit, Prosper S. Maguchu dhe Sabina Di Prima.
Njëra nga koordinatoret, Prof. Dr. Drita Mamuti – Fazlija theksoi se ky projekt është financuar me mini-grant nga Aurora dhe është realizuar në disa faza. “Realizimi i trajnimi të parë në universitetin Vrije të Amsterdamit është realizuar nga data 6 – 9 qershor 2022. Në këtë trajnim kanë marrë pjesë 3 përfaqësues nga projekti, ku aty kanë pasur mundësi që së bashku me përfaqësuesit e partnerit tanë të projektit të diskutojnë mbi krijimin e pyetësorit për integritetin, antikorrupsionin dhe metodologjinë. Realizimi i trajnimit të dytë në Fakultetin Juridik të UT-së është realizuar më 14 – 15 shtator 2022. Ky trajnim është realizuar nga profesorët e Fakultetit tanë dhe në pamundësi për të qenë prezent, zotëri Maguçi ka qenë i kyçur online. Të trajnuar kanë qenë 20 studentë të Fakultetit Juridik të UT-së, të cilët më vonë është dashur që të realizojnë matjen e perceptimit të nivelit të korrupsionit duke realizuar anketa të drejtpërdrejta me qytetarët e rajonit të Pollogut”, theksoi Prof. Dr. Drita Mamuti.
Gjatë realizimit të këtij projekti, i cili ka zgjatur përafërsisht 10 muaj, studentët kanë realizuar gjithsej 400 anketa të drejtpërdrejta në 9 komunat e rajonit të Pollogut. Anketat kanë qenë në tri gjuhë, në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze, varësisht prej nevojës. Përpunimi i të dhënave dhe raporti përfundimtar i projektit është realizuar nga profesoreshat, Prof. Dr. Drita Mamuti, Doc. Dr. Gjeraqina Leka, Doc. Dr. Njomza Osmani dhe asistentja e projektit Emine Dervishi.
Rezultatet që u prezantuan shfaqnin nivele te caktuara të prezencës se korrupsionit, si dhe forma të ndryshme të manifestimit të tij në institucionet publike.

Marketing