Në Ferizaj u ngrit pllaka përkujtimore në kujtim të Holokaustit

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, në stacionin hekurudhor në Ferizaj, u ngrit pllaka përkujtimore si shenjë kujtimi për hebrenjtë të cilët nga aty kishin përfunduar nëpër kampet e vdekjes, por edhe për shumë të mbijetuar tjerë falë dorës së ngrohtë shqiptare në momentet më të vështira në pranverën e vitit 1943.

Marketing

Pllaka përkujtimore u shpalos nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, drejtori i ITSHKSH-së Skender Asani, dhe kryetari i Bashkësisë Hebraike “Bet Izrael Kosova” Ruzhdi Shkodra.

Me këtë rast, drejtori i Institutit, Skender Asani, si njëri nga nismëtarët për vendosjen e kësaj pllake, tha se “sot në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, ndodhemi në Ferizaj, para kësaj pllake e cila nuk është thjesht një objekt i ngurtë, por mbi të gjitha është pjesë organike e kujtesës sonë mbi një të kaluar të hidhur të popullit hebre, i cili pati fatin e keq të sprovohet me murtajën vdekjeprurëse të holokaustit. Vendndodhja e kësaj pllake na kujton ditët kur ky stacion hekurudhor ishte bërë dëshmia më rrëqethëse e deportimit të hebrenjve”.

Asani më tej shtroi se “Mbi binarët e këtij stacioni ishin derdhur lot pikëllimi e trishtimi nga ata që po ndaheshin prej të afërmve të tyre. Shqiptarët vajtonin familjarët e tyre që po degdiseshin shkretëtirave të Anadollit, kurse hebrenjtë po i fiksonin në kujtesë fytyrat e të afërmve që nuk i panë më asnjëherë. Duke qenë koshient për pasojat që sjell robëria dhe dhuna, shqiptarët më mirë se kushdo tjetër i kishin kuptuar vuajtjet e hebrenjve, prandaj kishte edhe jo pak zyrtarë shqiptarë në administratën fashiste italiane këtu në Ferizaj e gjetiu, që ndihmonin hebrenjtë të dalin nga burgjet dhe të kalojnë në zonat e sigurta, siç ndodhi me Kamhi Ergas – Faraxhi, e cila gjeti strehim në Shkodër”, u shpreh ai.

Dy vjet më parë, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, priti në një takim vajzën e familjes hebreje, Ita (Drita) Bartuv, familje kjo e cila falë ndihmës dhe sakrificës së ofruar nga shqiptarët arriti të shpëtoj nga depërtimi në kampin famëkeq Aushvic. Ita Bartuv, mysafire e Institutit, ishte tepër e emocionuar, duke kujtuar rrëfimet që i kishte dëgjuar nga e ëma, Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi, për ndihmesën dhe përkrahjen që u kishin dhënë popullata shqiptare.

Në vitin 2017, ITSHKSH- Shkup botoi librin memoaristik të Kamhi Ergas – Faraxhi “Udhëtimi”, ku tregon të gjitha vuajtjet e saj që nga Shkupi, Ferizaj e deri në Shkodër, ku kishte shpëtuar familja Faraxhi nga ndjekja naziste.

Marketing