Në gjurmë të parave të politikanëve shqiptarë të nxjerrura jashtë vendit, kyçen 5 institucione të huaja

Autoritetet shqiptare do të rrisin bashkëpunimin me ndërkombëtarët për goditjen e korrupsionit dhe zbulimin e parave të pista. Këto janë dy shqetësimet kryesore për të cilat edhe SHBA-BE ka dhënë ultimatum që të luftohen me qëllim hapjen e negociatave e mesa duket qeveria ka vendosur të bëjë hapa përpara në këtë drejtim. Gazeta ka arritur të sigurojë një raport të Ministrisë së Drejtësisë për strategjinë antikorrupsion dhe ndër të tjera aty vihet theksi edhe tek krimi ekonomik e financiar. Sipas raportit, me qëllim që të luftohet ky fenomen e të bihet në gjurmët e parave të pista të politikanëve shqiptarë të nxjerra jashtë vendit, do të thellohet bashkëpunimi me një sërë institucionesh ndërkombëtare, si: Europol, Interpol, Frontex, etj. Në këtë kuadër, qeveria synon të zhvillojë sa më shumë operacione të përbashkëta policore. “Numri i operacioneve të përbashkëta të Policisë të nisura nga Europol ose Interpol në fushën e luftës kundër krimit financiar dhe ekonomik ku Shqipëria merr pjesë aktivisht: Rritja e bashkëpunimit operacional me vendet e treta dhe organizatat/ rrjetet mbi-kombëtare të zbatimit të ligjit (duke përfshirë, ndër të tjera, Europol, Interpol, Frontex, Egmont, CARIN, etj.). Siç u theksua në Raportin e Bashkimit Evropian të vitit 2016, “Shqipëria ka një marrëveshje operacionale bashkëpunimi me Europol-n dhe që nga viti 2009 një nëpunës ndërlidhës në selinë e Europol-it. Shqipëria mbetet një partner reaktiv më shumë se sa proaktiv në bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Këto tendenca të ngjashme janë theksuar edhe në lidhje në bashkëpunimin me Interpol-in”. Shkëmbimi i informacionit duhet të ndiqet nga bashkëpunimi në nivel operacional, duke përfshirë operacionet e përbashkëta të policisë. Treguesi do të vlerësohet duke matur numrin total të operacioneve të përbashkëta të Policisë Europol dhe Interpol në fushën e luftës kundër krimit financiar dhe ekonomik ku Shqipëria merr pjesë aktivisht”, thuhet në raport. Mesa duket, qeveria po përgatitet për goditje të forta kundër pushtetarëve që fshehin paratë me qëllim që të hapen negociatat.

Marketing

Lufta antikorrupsion

Ministria e Drejtësisë parashikon po ashtu në raportin e saj që të bëjë hapa përpara edhe në luftën antikorrupsion. Për këtë qëllim, një objektiv tjetër kryesor është edhe nxitja e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile si edhe krijimi i një programi të specializuar për antikorrupsionin tek Agjencia Për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. “Ndër objektivat kryesore strategjike të AMSHC-së, siç është paraqitur me deklaratën e Misionit dhe Objektivat, është promovimi i bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile që fokusohen në anti-korrupsion. Aktualisht, Agjencia nuk ka një Program të specializuar për antikorrupsionin, që të koordinohet nga një departament i saj. Hartimi i një programi të tillë do të kontribuonte pozitivisht në bashkëpunimin afatgjatë me OSHC-të, duke rritur parashikueshmërinë, angazhimin, qëndrueshmërinë dhe efektivitetin. Programi duhet të përfshijë aktivitetet ekzistuese në fushën e anti-korrupsionit, duke krijuar sinergji dhe efekt shumëfishues. Treguesi do të vlerësohet duke matur së pari krijimin e një Programi të Brendshëm për Anti-korrupsionin (procesi) dhe më pas vendosjen e tij në funksionim (performanca)”, vijon më tej raporti.

Mimoza Ibra

Marketing