Në Gjykatën Penale në Shkup sot në mesditë do të shqiptohet aktgjykimi i parë për rastin “Reket”, pasi dje në seancën e parë gjyqësore i akuzuari i tretë Zoran Milevski – Kiçeec e pranoi fajin për këtë vepër.
Milevski akuzohet për “pranim të shpërblimit për ndikim të jashtëligjshëm”.
Mbrojtja e Zoran Milevski Kiçeec, avokati Aleksandër Novakovski, në fjalën përfundimtare tha se i akuzuari që nga fillimi i procesit, kishte mundësi që si dëshmitarë ta shmang aktakuzën, por ai nga mosdija është vënë në situatë që të jetë i akuzuar.
“Gjykata të ketë parasysh se është baba i pesë fëmijëve minorenë dhe deri më tani nuk është dënuar. Ai që nga vetë fillimi, edhe pse nuk e pranoi fajin, e fliste të vërtetën para Prokurorisë Publike. Besoj se Gjykata do ta vlerësojë edhe pranimin e fajit”, deklaroi avokati Aleksandër Novakovski.
Prokurorja Villma Ruskoska, në fjalën hyrëse theksoi se do të bëhen të ditura dëshmi se Boki 13 përmes Kiçeecit të parët kishin filluar kontaktet me Ana Kamçevën dhe se nuk ka harruar që ta marrë çantën e mbushur me para.
“Duke pasur parasysh se i akuzuari e pranoi fajin, propozoj që Gjykata t’i shqiptojë dënim”, tha Ruskoska.
Procesi gjyqësor “Reket” vazhdon të premten kundër Bojan Jovanovskit – Boki 13 dhe ish prokurores speciale publike Katica Janeva. I akuzuari i parë Jovanovski dyshohet se ka kryer vepër penale “pastrim parash dhe të ardhura të tjera nga vepra penale”, ndërsa Janeva për “pranim të shpërblimit për ndikim joligjor” dhe për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.
Janeva gjendet në paraburgim përderisa Bojan Jovanovski është në INP Burgu-Shkup ku po vuan masën e paraburgimit.