Në seancën e kaluar është marrë në pyetje i pandehuri Bore Videvski, i cili ka deklaruar se nën torturë fizike është detyruar të nënshkruajë deklaratë me të cilën do të paraqitet fajtor dhe se pasi është rrahur me shkop druri është detyruar të thotë se e njeh babanë e vajzës.
Videvski është marrë në pyetje nga avokati i tij, ndërsa marrja në pyetje e tij është planifikuar të vazhdojë edhe sot.
Paraprakisht është marrë në pyetje i pandehuri Velibor Manev, i cili ka shpjeguar në detaje rrëmbimet e Vanjës dhe Pançes, duke treguar se Palevski ishte koordinator dhe autor i vrasjeve. Ai ka theksuar se pas vrasjes së Pançes ka vazhduar me rrëmbimin e Vanjës për shkak të frikës dhe kërcënimeve të Palevskit ndaj tij dhe familjes së tij.
Manev theksoi se ata menduan se duhet të rrëmbejnë një grua të moshës 38-40 vjeç dhe se janë përpjekur ta ndryshojnë mendjen e Palevskit pasi kanë parë se kanë rrëmbyer një fëmijë. Ai po ashtu tha se për rrëmbimet u janë premtuar nga 150 mijë euro.
Ai pretendoi se babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, nuk ishte i përfshirë në këtë rast.
Manev, ashtu si Videvski, tregoi se i ishte nënshtruar torturës gjatë marrjes në pyetje.
Sipas njoftimit, pas marrjes në pyetje të Manev dhe Videvskit do të merren në pyetje edhe të pandehurit Vlatko Keshishev, Aleksandar Gjorçevski dhe në fund Ljupço Palevski.
Në aktakuzë thuhet se Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyrojnë një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezovski, në Veles, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojë t’ua japë automjetin e tij Citroen, në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.