Grevë e përgjithshme e të punësuarve në Postë me kërkesë për rritje lineare të neto pagave në vlerë prej 3.000 denarë paralajmëruan për sot Sindikata e Postës së Maqedonisë dhe Organizata sindikaliste e SHA Posta e Maqedonisë së Veriut.
Greva do të fillojë në orën 08:00 dhe do të zhvillohet në vendet e punës në Postën kryesore dhe nëpër filialet në shtet, paralajmëroi në konferencën për shtyp Boro Veligdanov, kryetar i Sindikatës së Postës.
Sipas organizatave sindikaliste, puna në SH.A. Posta e Maqedonisë së Veriut, tërësisht do të jetë në ndërprerje përveç aktivitetet e domosdoshme të cilat dhënësit e shërbimeve postare duhet t’i sigurojnë pa ndërprerë, sipas nenit 49 të Ligjit për shërbime postare dhe Marrëveshje kolektive në nivel të punëdhënësit, dhe atë deri në pranimin e kërkesës.
Sipas Ligjit për shërbime postare, të punësuarit kanë obligim ta respektojnë nenin 49 dhe të sigurojnë pranim, renditje dhe shpërndarje të dërgesave postare që kanë të bëjnë me dërgesat gjyqësore të rekomanduara, dërgesat e rekomanduara nga siguria dhe mbrojtja dhe disa dërgesa tjera të rekomanduara të cilat janë përmendur në rregulloren ligjore.
Vendimi për grevë të përgjithshme është marrë në datën 31 të muajit të kaluar dhe siç informuan, për shkak të dialogut të pasuksesshëm me Bordin drejtues të Postës dhe Qeverinë dhe mosrealizimi i kërkesës për paga më të larta.