Në Idlib vazhdojnë sulmet e Rusisë dhe regjimit të Asadit, 14 civilë të vdekur

Të paktën njëmbëdhjetë civilë kanë humbur jetën, ndërsa 30 të tjerë janë plagosur në qarkun jugor Eriha, brenda zonës së de-eskalimit të Idlibit, si pasojë e sulmit të avionëve luftarakë të Rusisë dhe regjimit të Bashar al-Assadit, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Regjimi dhe avionët luftarakë të Rusisë zhvilluan sulme në disa vendbanime brenda zonës së de-eskalimit të Idlibit.

Avionët luftarakë kanë shënjestruar edhe ambulancë si pasojë e së cilës kanë humbur jetën tre punonjës shëndetësor.

Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardhë), nga sulmet deri më tani kanë humbur jetën 11 civilë, ndërsa 30 të tjerë janë plagosur.

Sulmet ajrore intensive vazhdojnë, për këtë shkak ka shqetësime për rritjen e numrit të të vdekurve.

Që nga fillimi i javës, në sulmet tokësore dhe ajrore të kryera nga Rusia dhe regjimi i Asadit në zonën e de-eskalimit të Idlibit kanë humbur jetën 95 civilë.

– Situata në Idlib

Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në katër milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.

Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e de-eskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.

Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.

Sulmet e fundit të regjimit dhe mbështetësve të tij u intensifikuan teksa më 25-26 prill, në kryeqytetin e Kazakistanit, Nursultan, po mbahej takimi i 12-të midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në muajin shtator.

Në periudhën nga 26 prilli deri më 12 korrik, sipas Rrjetit Sirian të të Drejtave të Njeriut (SNHR), nga sulmet e regjimit në Idlib janë vrarë 606 civilë prej të cilëve 157 fëmijë dhe 111 gra.