Deri në fund të ditës pritet kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi edhe zyrtarisht për të dielën në mesditë ta caktojë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të vendit, Stevo Pendarovski.
Në deklaratën për MIA, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka thënë se konfirmim deri tani se do të merr pjesë në inaugurimin e Pendarovskit kanë arrit nga presidenti bullgar Rumen Radev, nga ai shqiptar Ilir Meta dhe nga presidenti kosovar Hashim Thaçi. Të pranishëm do të jenë edhe zëvendëskryeministri i Turqisë dhe delegacion i Sllovenisë, ku poashtu pritet përgjigje nëse delegacionin e tyre do ta udhëheq personalisht Borut Pahor.
Ftesë për prezencë në inaugurimin përmes MPJ-së janë dërguar edhe te të gjithë shefat e shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-së, përfshirë edhe përfaqësuesit e KE-së si dhe shteteve të rajonit.
“Deri tani është konfirmuar prezenca e presidentëve të Bullgarisë, Shqipërisë dhe Kosovës, Radev, Meta dhe Thaçi, zëvendëskryeministri i Turqisë dhe delegacion i Sllovenisë”, ka thënë Xhaferi.
Xhaferi ka thënë se afatet kalojnë dhe se Kuvendi i ka përgatitur detajet teknike të seancës me kohë.
“Konsideroj se gjithçka do të zhvillohet sipas asaj që është paraparë”, ka thënë Xhaferi në deklaratën për MIA.
Për atë nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së do të marrin pjesë në seancën inauguruese, ai ka thënë se nuk ka arsye ata të mos vijnë.
“Zgjedhjet ishin si ishin dhe nga aspekti politik mendoj se nuk ka arsye të mos marrin pjesë në seancë”, thekson ai duke shtuar se informacionin deri te të gjithë deputetët do ta dërgojë në kohë.
Xhaferi ka informuar se më 16 maj, të enjten do të caktohet seancë për rivotim të disa ligjeve që nuk janë nënshkruar nga ende presidenti aktual Gjorge Ivanov, ndërsa janë miratuar më 24 prill. Në këtë seancë në rend dite do të jenë edhe ligje në lexim të dytë. Poashtu më 16 maj do të caktohet edhe vazhdim i seancës së 91 dhe 94 ku në rend dite janë ligje që duhet të rivotohen ose nuk janë votuar. Më 20 maj do të caktohet seancë e re e rregullt me materiale që kanë arrit në Kuvend gjatë kohës së fushatës presidenciale.