Në Kosovë arrijnë vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja

Në Kosovë të premten arriti kontingjenti i parë i vaksinave Pfizer, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marketing

Ky kontingjent prej 35.100 dozash të vaksinës kundër koronavirusit, është në kuadër të donacionit prej mbi 500.000 vaksinave që SHBA-ja do të dhurojë për Kosovën, përmes programit COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për shtetet e varfra.

Në ceremoninë e organizuar në Prishtinë, pas arritjes së këtij kontingjenti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në mars i kishte shkruar presidentit amerikan, Joe Biden për t’i kërkuar që të dërgojë në Kosovë vaksina.

“Vlera e këtij donacioni vaksinash shkon përtej numrave. Sot triumfon solidariteti dhe rikonfirmohet edhe miqësia e fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës. Ky veprim është vula e shprehjes sonë popullore se ‘miku i mirë shihet në ditë të vështira’”, tha Osmani.Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pavarësisht se Kosova ka qenë shteti i fundit në rajon që ka nisur procesin e imunizimit në fund të marsit, ky proces, sipas tij, është duke shkuar mirë dhe theksoi se deri në fund të vitit do të arrihet synimi i qeverisë, që të vaksinohet 60 për qind e popullatës.

“Vendi ynë është mirënjohës dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin nga të gjithë e veçanërisht nga miqtë dhe aleatët tanë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Kurti.

“Po përballemi me një pandemi të vështirë, zgjidhja përfundimtare e së cilës është vaksinimi”, shtoi ai.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett rikujtoi se vendi i tij është donatori më i madh i COVAX-it ku ka kontribuar me 2 miliardë dollarë.

“Kjo dhuratë nga populli amerikan është donacioni më i madh i vaksinave që Kosova ka marrë nga ndonjë shtet i vetëm apo organizatë”, tha Kosnett.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të vaksinohen, pasi theksoi se vetëm “së bashku mund ta mposhtim COVID-19”.

Marketing