Në Kosovë u regjistrua të premten vetëm një rast i ri me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) tha se ka testuar gjithsej 243 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Rasti pozitiv, sipas IKSHPK-së, është rast kontakti nga Komuna e Prishtinës.
IKSHPK-ja po ashtu bëri të ditur se të premten janë shëruar 61 pacientë, që më herët janë diagnostikuar me koronavirus.
Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 622.
Të premten po ashtu vdiq një 77-vjeçar nga Komuna e Rahovecit, i cili ditë më parë është diagnostikuar me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Gjithsej, në Kosovë janë konfirmuar 862 raste me koronavirus – prej tyre 28 kanë vdekur.