Në Kosovë nuk ka koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), ka njoftuar se në Kosovë nuk ka raste të prekur me koronavirus. Përmes një komunikate për media, IKSHP thotë se ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për një paciente të dyshimtë në sëmundjen Koronavirus COCID-19. Pacientja ka pasur ethe, djegje të syve, rrjedhje hunde dhe fytin e ndieshëm.

Marketing

Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS-CoV-2 me metodën rRT-PCR. Testi ka rezultuar negativ, domethënë pacientja nuk është infektuar me virusin SARS-CoV-2. Sipas komunikatës, laboratori mikrobiologjik/IKSHPK është pajisur me kite dhe reagensa për detektimin e 2019-nCoV; Ekipet e Institutit Kombëtar po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Koronavirus në botë.

“Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatua se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit të ri. Ka kompletuar Planin e Gadishmërisë për Koronavirus dhe Planin e Kontingjencës duke iu përmbajtur strikt rekomandimeve të OBSH; Janë shpërndarë materialet dhe dokumentet, posteret e shtypur nga Instituti Kombëtar me kohë janë shpërndarë në Institucionet shëndetësore, Shkolla, Aeroport, hyrje/daljet tokësore, Institucionet e burgjeve. Komunikimi me media dhe rrjetet sociale është në vazhdimësi për të ruajtur panikun e mundshëm”, thuhet në komunikatën e Institutit.

Po ashtu njoftohet se është bërë ngritja e nivelit të vigjilencës dhe gatishmërisë për veprim në situatën e krijuar 24 orë në ANP”Adem Jashari” dhe në hyrje daljet e Kosovës me ekipe mjekësor. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të gjitha institucionet shëndetësore janë të përgatitura për përballje me shfaqjen e sëmundjes.

Marketing