Në Kumanovë po rritet numri i nxënësve shqiptarë, po zvoglohet numri i nxënësve maqedonas (VIDEO)

Në komunën e Kumanovës numri i nxënësve shqiptarë ka shënuar rritje në krahasim me ato maqedonas, edhe përkundër fluksit të madh të emigrimit. Këtë e kanë pohuar nga autoritetet komunale.

Marketing

“Në 10 vitet e fundit po ndryshohet struktura në bazë kombësisë dhe vazhdimisht po rritet numri i nxënësve shqiptarë dhe po zvogëlohet ai i nxënësve maqedonas. Numri në këtë moment në shkollë është përgjysmë. Paralelet në bazë të ligjit mund të jenë nga 24-34 nxënës dhe gjithashtu ligji parasheh që klasa mund të funksionojë edhe me një numër më të vogël të nxënësve. Në rastin konkret për shkak të rritjes së numrit të nxënësve në paralelet shqiptare, ato nuk e kalojnë ligjin për numër maksimal të nxënësve dhe është në baza të asaj 34 nxënës”, pohoi për TV21, Zhika Krstevski, udhëheqës në Sektorin e Arsimit pranë komunës.

Problemin me numër të madh të nxënësve shqiptarë nëpër paralele e ka edhe shkolla fillore “Toli Zordumis”, ku zhvillohet mësim në maqedonisht dhe shqip. Por prindërit e nxënësve shqiptarë ankohen për mbingarkesë të nxënësve në paralelet shqipe.

Orhan Rexhepi, kryetar i Këshillit të prindërve shqiptarë, së bashku me prindërit e fëmijëve të kësaj shkollë ankohen për mbingarkesën e paraleleve në gjuhën shqipe. Ata kërkojnë hapjen e paraleleve të reja dhe punësimin e kuadrove shqiptarë. Rexhepi shton se në një paralele në gjuhën shqipe numri i nxënësve arrijnë nga 32-35 nxënës, ndërsa në paralelet në gjuhën maqedonase numri më i lartë i nxënësve është 11 nxënës në një klasë, përcjellë TV21.
“Si kryetar i Këshillit të prindërve të nxënësve shqiptarë gjatë gjithë takimeve që kemi mbajtur me prindërit, i shqetësojnë shumë gjëra por njëra ndër ata është mbingarkimi i paraleleve shqipe. Këtu numërojmë përafërsisht 277 nxënës me 9-të paralele shqipe ndërsa maqedonase janë 183 nxënës me 26 paralele. Po kërkojmë ndarjen e paraleleve në gjuhën shqipe. Ne si Këshill i prindërve kemi bërë kërkese edhe në Komunë edhe në Ministrinë e Arsimit, me vullnet të mirë shpresojmë se kjo do të rregullohet në të ardhmen por tani për tani nuk kemi zgjidhje”, deklaroi, Orhan Rexhepi, Kryetar i Këshillit të prindërve.

Drejtori i shkollës, Mile Jordanovski nuk e mohon faktin që ekziston një rritje e numrit të nxënësve shqiptarë në këtë shkollë, por ai thotë që në asnjë klasë nuk është shkelur ligji për vendosjen e nxënësve nëpër klasa. Ai zgjidhjen e sheh tek propozim-ligjin i ri për arsim fillor i cili parasheh që në një klasë të jenë maksimum 25 nxënës. Jordanovski tha se në këtë shkollë përveç tjerash mungon edhe pedagog edhe psikolog në gjuhën shqipe.
“Është e vërtetë se është rritur numri i nxënësve shqiptarë. Paralelet të cilat janë prej klasës së parë deri te e nënta numri total i nxënësve është 270 që i bie që në mesatare diku rreth 30 nxënës ka në një paralele, e tash diku janë nga 32 tek të vegjlit, ndërsa tek me të mëdhenjtë nga 29-30. Është e vërtetë që është vështirë të zhvillohet mësim në këto kushte dhe do të jetë më mirë që të zvogëlohet ai numër dhe këtë shpresojmë që do ta rregullojmë me propozim ligjin e ri për arsim fillor. Për të hapur paralele të reja duhet të kemi klasa dhe kushte të reja për punë. Nëse vërtetë ka nevojë do të hapen paralele nuk ka asnjë pengesë as nga shkolla as nga unë si drejtor i shkollës”, tha Drejtori i shkollës Mile Jordanovski.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, është i njoftuar me problematikën. Ai shton se prindërit duhet të bëjnë regjistrimin e fëmijëve në atë shkollë të rajonit që jeton dhe shkolla është e detyruar t’i pranojë fëmijët.
“Në qoftë se numri tejkalon atë pragun maksimal të paraparë me ligj, që me ligjin aktual është 34, në qoftë se tejkalon atë numër atëherë sigurisht që shkolla nëpërmjet komunës duhet të drejtohet tek MASH me kërkesë për një financim të ri, më kërkesë për angazhimin e ndonjë mësimdhënësi shtesë dhe sigurisht që është obligim ligjor për ne të japim pëlqim në situata të tilla që të angazhohet kuadër i ri dhe që në fakt krijon paralele të reja”, tha për Tv21, Arbër Ademi.

Ndërsa Ademi tha që ligji për arsim fillor është në përgatitje e sipër dhe së shpejti do të publikohet në ENER për debat publik. Ky ligj parasheh që në një paralele minimum të ketë 20 nxënës ndërsa maksimumi 30.

Marketing