Në Manastir u shënua “110 vjet gazetari shqiptare”

“110 vjet gazetari shqiptare” është manifestimi që për herë të parë u shënua mbrëmë në Manastir në organizim të shoqatës Kongresi i Bashkimit dhe që konsiston me gazetën e parë shqipe të shkruar në alfabetin shqip që doli nga Kongresi i Alfabetit.

Marketing

Kryetari i shoqatës “Kongresi i Bashkimit”, Fërgim Demiri tha se ky manifestim shënohet për herë të parë në historinë shqiptare që përkujton themelet e gazetës të shkruar shqip.
“Shënojmë një datë jashtëzakonisht të rëndësishme për historinë shqiptare, një datë që e kishin harruar të tjerët, ne vlerësuam se duhet të shënohet.

Ai tha se shoqata që drejton është e izoluar në të gjitha anët, nga Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera, që nuk përkrahën as edhe këtë manifestim. Demiri tha se me rastin e shënimit të kësaj date, shoqata është përkujdesur që të ndajë një çmim nderi dhe një mirënjohje të veçantë për gazetarin Marin Mema, i cili me dokumentaret e tij ka ngritur zërin për Manastirin.

Gazetari Mema tha se për këtë ka një vlerë të madhe ky çmim që e merrë një vendin ku ka lindur rilindja kombëtare.
“Manastiri është qytet që nuk duhet të braktiset se në çdo cep ka elementet dhe rrënjët shqiptare. Andaj duhet të kthejmë vëmendjen tek kjo vatër e rilnidjes kombëtare”, theksoi gazetari Marin Mema.

Në këtë manifestim u ndanë mirënjohje edhe për Iliria News Agency – INA për kontributin e saj në gazetarinë shqiptare, mirënjohje nderi u nda edhe për Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni dhe kryetarin e saj Sulejman Rexhepi për kontribut në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare dhe fetare, por edhe për mbështetjen e këtij manifestimi. Mirënjohje nderi u nda poashtu për profesorin Reshat Nexhipi nga Manastiri dhe profesorin kumanovar të artit, Bashkim Qerimi. Manifestimi i kushtoi një vëmendje dhe minutë heshtje gazetarit të ndjerë nga Manastiri, Qenan Hasani, për kontributin e të cilit u nda një mirënjohje post mortum.
Historia e gazetës së parë “Bashkimi i Kombit” me alfabetin shqip.

Gazeta “Bashkimi i Kombit” doli për herë të parë në dhjetor të vitit 1908 si rezultat i alfabetit shqip me shkronja latine që doli pas unifikimit në Kongresin e Manastirit. Ajo u botua nga shoqëria botuese “Bashkimi i Kombit” me të njejtin emër, e cila ishte subjekt i Klubit “Bashkimi” të Manastirit. Drejtor i “Bashkimi i Kombit” ishte Feim Bej Zavalani. Më vitin 1909 kjo shtëpi botuese u shkatërrua me ndërhyrjen e xhonturqve dhe nga detyra u hoq Feim Zavalani, duke u emëruar një rilindas tjetër.

Mirëpo xhonturqit e ndaluan shoqërinë botuese “Kongresi i Bashkimit” dhe themeluan një shoqëri tjetër botuese me emrin “SHOQERIJA BOTONJESE LITERARE” ku ishte në formë aksionare. Mbi 1500 anëtarë ishin në bordin e saj. Gazeta vazhdoi të dilte deri në vitin 1911 e mandej pas luftërave ballkanike ajo pushoi të del. Gazeta “Bashkimi i Kombit” shtypej në shtypshkronjën universale të Familjes Qiriazi. Së pari në shtëpinë e tyre funksiononte e mandej në objekt të posaçëm. Aty shtypeshin dhe gazetat e Klubeve të Selanikut, Janinës, Korçës, Dibrës, Manastirit etj. Shtypeshin dhe libra e literaturë tjeter si dhe Abetararja e parë shqipe.

12 dhjetori merret si datë e daljes së numrit të parë të gazetës “Bashkimi i Kombit”, e cila kishte një ekip gazetarësh dhe korrespodentësh nga të gjitha trevat. Pra kjo datë merret si autentike për fillimet e gazetarisë shqiptare, sepse del pas unifikimit të alfabetit, nga se më parë janë botuar gazeta me alfabete të tjera si me osmanishten, greqishten, bullgarishten, sllavishten, gjuhën rumune etj.

Marketing